OSBE: Në Kosovë vazhdojnë kërcënimet kundër gazetarëve

Mediat e papenguara dhe profesionale janë çelës për zhvillimin demokratik të Kosovës, tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Mëtutje, në njoftimin e OSBE-së, theksohet se ai ka kërkuar nga institucionet që të garantohet liria e të shprehurit dhe liria e mediave dhe që gazetarëve tu sigurohet ambient më i sigurt punues, për ta informuar publikun me kohë dhe objektivisht.


“Megjithë një lloj të progresit në shqyrtimin e rasteve ku përfshihen sulmet kundër gazetarëve, mediat vazhdojnë të jenë subjekt i presionit politik dhe ekonomik, derisa vazhdojnë kërcënimet dhe frikësimet kundër gazetarëve, që mëtutje e dobëson lirinë e shprehjes dhe mediat e lira në Kosovë”, tha ambasadori Schlumberger, dhe ka shtuar se “për fat të keq, numri i sulmeve, i kërcënimeve dhe fushatës për njollosjen e gazetarëve mbetet i lartë, me 24 raste të tilla të raportuara vetëm në vitin 2014, e deri në 10 raste deri në prill të vitit2015”.

“Fuqishëm i dënoj këtë sulme dhe kërcënime kundër gazetarëve, dhe çfarëdo lloji të ndikimit në mediat e pavarura”, tha ai, duke theksuar se “gazetarët duhet të kenë mundësi të punojnë lirisht dhe të sigurt pa ndërhyrje të paligjshme”. Mëtutje, shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka lavdëruar Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin e punës dhe të financave të Radio Televizionit të Kosovës. Ai, po ashtu, e ka lavdëruar Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin për Shtyp të Kosovës për punën e tyre.
Previous Post Next Post