Hungaria mbështet gjerësisht zhvillimin e bujqësisë shqiptare

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti priti te enjten paradite në Tiranë, në një takim pune një delegacion të qeverisë hungareze për diplomacinë ekonomike, të kryesuar nga zëvendësministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, Laslo Szabo.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi ekonomik në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Të dy palët shprehën vullnetin dhe ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin me hapa konkret dhe të shpejt në drejtim të asistencës hungareze në fushën e procesit të integrimit europian të Shqipërisë në fushën e bujqësisë.

Një tjetër temë e rëndësishme midis ministrit Panariti dhe z. Szabo ishte dhe rritja e volumit të këmbimit të mallrave bujqësore, kryesisht blegtorale. Gjithashtu u ra dakord për përafrimin e legjislacionit në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, bashkëpunimin midis agjencive të pagesave të dy vendeve për mbështetjen e fermerëve, marrëveshje në fushën fiskale, financimin e projekteve të përbashkëta nga banka hungareze si dhe për bashkëpunimin në fushën e administrimit të ujërave.

hungaria 2Pas takimit, Ministri Panariti shprehu kënaqësinë për këtë takim të zhvilluar dhe vullnetin e shprehur për bashkëpunim. ‘’U gëzova shumë që zoti Szabo më siguroi mbështetjen e Hungarisë në këtë drejtim, madje ekziston vullneti i shprehur qartë i qeverisë hungareze për hartimin e projekteve të një interesi të përbashkët në fushën e bujqësisë. Financimi është i garantuar, pasi një institucion financiar i rëndësishëm ExinBank është prezent, pra mekanizimi i financimit të këtyre projekteve është më i thjeshtë dhe më i shpejtë. Kjo është shumë inkurajuese”, tha Panariti.

Unë mendoj, vijoi ai, që jemi në rrugën e duhur. Ne e mirëpresim fillimin sa më të shpejt të projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, në investime në sera, në adoptimin e teknologjive të përparuara për të nxitur prodhimin e serave. Diskutuam gjithashtu edhe për bashkëpunimin në fushën e blegtorisë, ku unë theksova se jemi shumë të interesuar për të rritur prodhimin tregëtar në këtë drejtim”, tha Ministri Panariti.

Ndërkohë që kreu i delegacionit hungarez Szabo shprehu vlerësim për rrugën dinamike të ecurisë dhe zhvillimit të Shqipërisë. Ai premtoi angazhimin e plotë në drejtim të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shprehu vullnetin e qeverisë hungareze për të asistuar ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Previous Post Next Post