Kosova, tre deputetë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Tre deputetë të Kosovës po marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Në delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë nënkryetarët e Kuvendit Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.


Delegacioni është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Dytë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg, Francë, i cili zhvillohet nga 20 prill deri në 24 prill.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pos në punimet e sesionit, është duke marrë pjesë edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare të Këshillit të Evropës, si: Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci, Komisionin për Çështje Ligjore dhe Drejtat e Njeriut, Komisionin për Migrim, Refugjat dhe Persona të Zhvendosur.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vazhdën e takimeve bilaterale, sot është takuar me përfaqësues të delegacionit të Maqedonisë në Këshillin e Evropës. Me këtë rast delegacioni i Maqedonisë premtoi mbështetjen për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Pasdite delegacioni i Kosoves do të takohet me përfaqësues të delegacionit të Kroacisë në Këshillin e Evropës, ndërsa në ditët në vijim, do të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të delegacionit të Francës, të Sllovenisë, etj.
Previous Post Next Post