Gjykata e Durrësit deklaron të pafajshëm Gjin Gjonin


gjin-gjoni

Gjykata e Apelit në Durrës ka vulosur pafajësinë e Gjin Gjonit, anëtar i KLD-së dhe gjyqtar në Apelin e Tiranës. Ai akuzohej për fshehje pasurie, të një shumë prej 300 mijë eurosh. Çështja është hetuar në Prokurorinë e Elbasanit, e cila shtyu hetimet para disa muajsh, me pretendimin se priste kthimin e letër-porosisë nga Franca dhe Gjermania. Por, Gjoni e kundërshtoi në gjykatë këtë vendim të prokurorisë. Gjykata vendosi të pranojë ankimin e Gjonit, duke mbyllur këtë çështje. Prokuroria e apeloi këtë vendim, ndërsa çështja është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit në Durrës. Apeli, disa ditë më parë, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, duke dhënë një vendim të formës së prerë për Gjonin. Akuza thotë se, pa ardhur letër-porosia, i ka “duart e lidhura”, ndërsa pas vendimeve të Gjykatës së Elbasanit apo të Apelit në Durrës, kjo akuzë nuk mund të kryejë dot asnjë veprim.

Edhe nëse përgjigjet e letër-porosive mund të mbërrijnë, provat që mund të kenë do të cilësohen si të paligjshme. Prokuroria e Elbasanit thotë se ka shtyrë me tre muaj hetimet më datë 11 shkurt 2015, me qëllim marrjen e akteve të kërkuara nga letër-porositë e drejtuara shteteve të Francës dhe Gjermanisë. Vendimi u është njoftuar dy personave nën hetim me anë të shërbimit postar. Akuza justifikohet se ka kryer hetim të plotë e të gjithanshëm, duke grumbulluar provat që ka parë të arsyeshme.

Në apelimin e prokurorisë, thuhej se nuk qëndronte arsyetimi i gjykatës se kërkesa e Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit është e mbështetur në ligj e në prova. “Nga ana e prokurorisë, në mënyrë të vazhdueshme janë dërguar letërkujtesa nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për kërkesat për ndihmë juridike, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej autoriteteve kompetente të shteteve të Gjermanisë dhe të Francës. Pamundësia e lindur për të përfunduar hetimet në afatet e caktuara nuk ka lidhje me qëndrimin e organit të prokurorisë”, thotë akuza, ndërsa saktëson se kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore që kanë të bëjnë me provat pas mbarimit të afatit hetimor i bën ato të papërdorshme.

“Për të sqaruar pozicionin e të hetuarve, është mjaft e rëndësishme që të verifikohet edhe veprimtaria e shtetasit Werner Mehlber, kërkuar në letër-porosinë drejtuar shtetit francez. Ky veprim kërkohet me qëllimin për të justifikuar veprimet juridike që ka kryer me personin nën hetim Elona Çaushi. Është mjaft e rëndësishme pritja e akteve të letër-porosisë nga shteti gjerman lidhur me veprimet e kryera prej shoqërisë ‘Gebr. Heinemann Albanien Holding’ Gmbh me shoqërinë ADFD e sidomos për shumën prej 300 000 eurosh”, thotë akuza. Megjithatë, pas vendimit të Apelit, çështja është pushuar, tashmë me vendim të formës së prerë./shqip/
Previous Post Next Post