Arrestohet inspektori i policisë për kondrabandë

 Policia e Shtetit, ka arrestuar një punonjës policie për shpërdorim detyre, si dhe 3 shtetas për kontrobandë të automjeteve.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor Arjan Ahmet Sokoli,  45 vjeç, me detyrë nd/kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në datë 8 prill 2015, shërbimet e Stacionit të Policisë Kalimash, kanë ndaluar 2 automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit Koni dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës.

Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, ka arrestuar Indrit Konin, Denis Konin dhe Baftiar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera” dhe “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 174, 178 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera nga SHÇBA (ish-SHKB) u dokumentua me prova ligjore, se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i Policisë me detyrë nd/kontrollor, Arjan Sokoli. Ai, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, ka lejuar kalimin e automjeteve nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet P.K.K. Morinë, duke mos kryer rregjistrimin përkatës në sistemin TIMS.
Previous Post Next Post