Loading...

10 vendet me median më të kufizuar në botë




Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka radhitur dhjetë vendet me kufizimet më të mëdha të mediave. Raporti i publikuar sot ve në krye Eritrenë dhe Korenë e Veriut dhe thekson se këto vende kërcënojnë dhe burgosin gazetarët si dhe censurojnë internetin për t’u mbyllur atyre gojën.


Raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se në dhjetë vende të botës gazetarët i pret burgu. Kina zë vendin e parë për burgosjet me 44 gazetarë në qeli. Ndërsa Irani përdor burgimet arbitrare dhe në masë për t’u mbyllur gojën disidentëve ose për t'i detyruar ata të largohen.

Courtney Radsch e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se vetëm këtë vit janë burgosur 200 gazetarë.

“Tre vitet e fundit kanë qënë më të rrezikshmet ndonjëherë për gazetarët, me vrasje dhe burgime rekord. Më shumë se 400 gazetarë janë detyruar të braktisin vendet e tyre gjatë pesë viteve të fundit.”
Censura në internet është një armë e rëndësishme për shtypjen e kritikave. Në Korenë e Veriut vetëm elita politike ka internet. Në Kubë, blogerët mund të postojnë vetëm nga ambasadat e huaja ose hotelet për të patur një lidhje të pafiltruar. Kina bllokon median sociale dhe kritikat për 642 milion përdorues të internetit.

Përsëri Courtney Radsch i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

“Censura është një mjet i fuqishëm që kufizon rrjedhën e infomacionit. Për ta mënjanuar këtë duhet të kesh njohuri dhe mjete të avancuara teknike.”

Pranvera Arabe  bëri që Eritrea të ndryshonte planet për internet mobil për shtetasit e vet. Që nga Pranvera Arabe, Arabia Saudite ka hartuar ligje që nuk lejojnë publikimin e materialeve të cilat bien ndesh me Sheriatin apo me rendin publik.

Mediat shtetërore shpesh janë i vetmi burim informacioni në dhjetë vendet në listë. Zonja Radsch thotë se publikimi i raportit u tregon gazetarëve dhe shtetasve të këtyre vendeve se bota po i vëzhgon me vëmendje. Në dhjetëshe përfshihen Kina, Eritrea, Koreja e Veriut, Arabia Saudite, Irani,  Etiopia, Azerbajxhani, Vietnami, Birmania dhe Kuba./voa/
10 vendet me median më të kufizuar në botë 10 vendet me median më të kufizuar në botë Reviewed by Marion Mardodaj on 4/21/2015 05:39:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.