Veliaj: Modeli gjerman i arsimit profesional, zgjedhje inteligjente

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Institutin e Hamburgut për Arsim Profesional dhe me mbështetjen e Programit për Arsimin Profesional të GIZ-it, prezantoi dje çeljen e projektit Erasmus Plus “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, i cili synon integrimin e skemës së arsimit dual në sistemin e arsimit profesional në vendin tonë.

Projekti do të pilotohet në dy shkollat e hoteleri-turizmit në Tiranë dhe Kamzë, bazuar në modelin e “çirakërisë moderne” të shkollës partnere të Hamburgut në Gjermani.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, e vlerësoi projektin e financuar nga Komisioni Evropian dhe që do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, si një hap i rëndësishëm në zbatimin e modelit dual gjerman në shkollat tona profesionale.

“Nëse shikojmë atë që ndodhi në BE, kriza ekonomike erdhi si një zile alarmi dhe na bëri të kuptojmë se vendet e vetme që nuk u prekën prej saj ishin vendet gjermanike, të cilat kishin bërë një zgjedhje inteligjente: u fokusuan tek arsimi profesional dhe sistemi dual, sipas të cilit gjysmën e kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe gjysmën pranë një kompanie. Pikërisht, këtë po bëjmë ne sot”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se 100 të rinj do të kenë mundësinë të kualifikohen në mjediset mësimore në shkolla dhe njëkohësisht në mjediset e punës në biznese në sektorin e hoteleri-turizmit, duke kontribuar me punën produktive, energjitë dhe motivimin  tyre. “Modeli gjerman që po zbatojmë është i panegociueshëm. Çka do të thotë se bordet e shkollave duhet të plotësohen me përfaqësues të biznesit dhe të fillojë zbatimi në terren i praktikës së çirakërisë”, shtoi Veliaj duke vënë në dukje se MMSR është ministria e parë, e cila fitoi një projekt të tillë pas riformatimit të programit Erasmus.

Zëvendësministrja e MSR-së, Gentiana Mara Sula, tha se në këtë proces kemi edhe ndihmën teknike e financiare, gjithnjë të pakursyer, të Bashkimit Europian, i cili nëpërmjet Programit ERASMUS+ mundësoi ekzistencën e këtij projekti.

Sipas saj, ky projekt do të mundësojë “zhvillimin e një modeli të qëndrueshëm të zbatimit të skemave të çirakërisë moderne në Shqipëri, si dhe do të institucionalizojë zhvillimin e një oferte cilësore të arsimit dhe formimit profesional, që i përgjigjet direkt kërkesave të tregut të punës dhe dëshirës së të rinjve shqiptarë për t’u integruar suksesshëm në tregun e punës”.

Propozimi për projektin Erasmus+ “Skema e praktikës profesionale për punësueshmërinë e të rinjve në Shqipëri” paraqitur nga Komisioni Europian është hartuar me asistencën teknike të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ në Shqipëri. Partneriteti midis Agjencisë Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe Institutit për Trajnimin Profesional të Hamburgut (HIBB) ka nisur pas marrëveshjes së bashkëpunimit të firmosur në Qershor të vitit 2014 nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, përfaqësuesve të HIBB dhe GIZ.
Previous Post Next Post