Shqiptarët pa viza në Brazil

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë bëri me dije sot nëpërmjet nje njoftimi në faqen zyrtare se pas mbylljes së proçedurave të nevojshme ligjore, në bashkëpunim me palën braziliane, u mundësua heqja reciproke e regjimit të vizave edhe për pasaportat e thjeshta të shtetasve shqiptarë e shtetasve brazilianë.

Ministria e Jashtme shpjegon më tej se  “që prej datës 27.11.2014 shtetasit e të dy vendeve kanë mundësinë që të lëvizin lirshëm në territoret e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës Federative të Brazilit. Shtetasit shqiptarë mund të hyjnë e qëndrojnë Republikën Federative të Brazilit për motive afatshkurtra deri në 90 ditë për 180 ditë, të llogaritura nga hyrja e pare”.

Me këtë rast, ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh edhe një herë kënaqësinë e saj për këtë lehtësim që i krijohet shtetasve të të dy vendeve për të lëvizur lirshëm në territoret respektive.
Previous Post Next Post