22 vjeçari Godelli kampion bote në peshngritje


daniel-godelli1

Ngrihet lart flamuri kuqezi në arenën ndërkombëtare. 22-vjecari nga Peqini Daniel Godelli ka fituar 2 medalje ari dhe një argjendi. I ndërgjegjshëm për titullin botëror, Danieli provoi edhe rekordin botëror, por nuk ia doli dot mbanë. Daniel Godelli shpallet kampion i Botës në stilin e shkëputjes në Peshëngritje, nënkampion i Botës në shtytje dhe kampion i Botës në dygarësh. Fillimisht, ai ka ngritur 171 kg në shtyrje dhe ka marrë medalje ari. Peshëngritësi shqiptar ka arritur të mundë kështu kampionin aktual të botës, kinezin Lju Xiaojung, i cili doli i dyti në kampionatin e këtij viti, falë peshës trupore më të madhe.

Garimi - Erkand Qerimaj e mbylli garën në shkëputje në vendin e pestë me 158 kilogramë, ndërsa Godelli e nisi nga 163 kg, duke besuar te medalja. Ngritja e peshës e katapultoi direkt në zonën e medaljes, por Godelli nuk u kënaq me kaq. E mori mbi supe shtangën me 167 kilogramë dhe arriti t’i cojë sipër me sukses, pa rrezikuar fare. Kinezi Lju Xiaojung dukej i pakapshëm, teksa në provën e dytë ngriti me sukses 171 kilogramë. Godelli provoi më tej shanset e veta dhe ia doli mbanë. Falë peshës më të lehtë trupore u ngjit mbi pedanë për 171 kilogramë dhe i ngriti, duke ia rrëmbyer fronin rivalit të vet, kampionit të botës në fuqi.
Dygarëshi dhe shtytja - Daniel Godelli nuk e ka mbaruar këtu garën e tij, por ka vijuar edhe në shtytje. Para tij ka provuar Erkand Qerimaj. Në stilin e shtytjes, Qerimaj gaboi të treja provat, duke mos arritur dot të kualifikohet në dygarësh, pavarësisht se në të tria provat erdhi duke ndryshuar provat. Peshëngritësi nga Elbasani ka ngritur shtangën 198 kg në shtytje, duke u shpallur nënkampion në këtë stil. Ai ngriti 369 kg në të dy garat dhe kësisoji është edhe kampion bote në dygarësh. Pra, Daniel Godelli u rendit i pari në shkëputje, i dyti në shtytje dhe i pari në total në Botërorin e Peshëngritjes, që zhvillohet në Kazakistan.
Kjo është hera e parë pas 42 vjetësh që Shqipëria merr një medalje ari në një Kampionat Botëror. Më parë ka qenë Ymer Pampuri, i cili mori medalje ari në një nga stilet e sportit të peshëngritjes në Lojërat Olimpike “Gjermani 1972”.
Urimet - I menjehershëm ka qenë edhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që përmes një statusi në Facebook ka shpehur lumturinë e tij për këtë arritje. “Uh, çfarë gëzimi! Daniel Godelli kampion bote në peshëngritje! Do të tentojë pas pak rekordin botëror! Sapo e urova, fantastike!” – shkruan kreu i ekzekutivit shqiptar.
Nga ana e vet, ministrja e Sporteve, Lindita Nikolla, ka shkruar në Facebook: “Lajme të mira nga Kazakistani! Daniel Godelli me medalje ari në Botërorin e Peshëngritjes.”
Previous Post Next Post