Loading...

Shekulli XXI, Shekulli i Shqiptarisë

Shekulli i XXI, Shekulli i Shqiptarisë
Nga Marion Mardodaj
Po të kemi parasyshë ndeshjen Serbi-Shqipëri që u zhvillua në 14 Tetor, mund të themi se rrjedhat e kësaj ngjarje i bashkuan më shumë shqiptarët e Shqipërisë me të Kosovës e gjithë shqiptarët kudo në botë duke konsoliduar urat lidhëse të ngritura me lumenj gjaku dhe djerse. Në këtë këndvështrim, Oculus News po riboton një opinion të Marion Mardodaj, botuar në Nëndorë të vitit 2012 nga një e përditshme shqiptare, kur gazetarë e analistë marjoneta të blerë pa dinjitet kombëtarë ulnin figurën e Skëndërbeut, të Nënë Terezës, bënin çfarë të mundnin për të shkatërruar urat e ngritura me lumenj gjaku dhe djerse mes shqiptarëve, por pavarësisht kësaj, ata vazhdonin.      
   
                   
Shekulli XXI, Shekulli i Shqiptarisë

Ekziston një tendencë e pamohueshme në disa të përditshme shqiptare dhe kosovare nga disa opinionistë e analistë, për të larguar apo distancuar në njëfarë mënyre ato ura lidhëse që janë ndërtuar me lumej gjaku e djerse nga shqiptarët e hapësirës shqiptare. Nuk besoj se është e rëndësishme të përmenden emra. Një sy i stërvitur mundet t’i dallojë lehtësisht në përditshmëri, por edhe sepse nuk ma lejon ndërgjegjja dhe vlerat me të cilar jam rritur e në të cilat besoj. Në këtë kontekst, do mundohem të bëj një analizë të rëndësisë jetike të ndërtimit të sa më shumë urave lidhëse dhe konsolidimin e  atyre të ndërtuara tashmë.

Është e rëndësishme që si fillim të shkruhen dy fjalë rreth kombit si koncept. Sepse ndoshta,në këndvështrimin e një historiani apo studiuesi, mënyra e trajtimit të këtij termi mund të përbënte thelbin e arsyetimit. Interpretimet rreth kombit mund të jenë të ndryshme. Ato mund të jenë trillime, të bazuara shkencërisht, ose arsyetime të thjeshta, të cilat në fakt janë edhe mallrat më të përhapur në botë. Por le të ndalemi tek shkenca. Idetë shkencore ndryshojnë relativisht shpejt, është mëse e sigurtë që teoritë e pjesës më të madhe të disiplinave të sotme shkencore ishin të ndryshme përpara disa dekadash. Edhe matematika e cila është një shkencë ekzakte, ka për detyrë të na sqarojë disa nga konceptet e saj sfiduese, si p.sh, rrënjën katrore të numrave negativ, numrat infinit etj. Ndërsa boshllëku më i madh i rregjistrimit të fosileve është evidentuar që në fillim. Asnjë shkëmb mbi sipërfaqen e tokës nuk është më i vjetër se 3.9 miliard vjet, sepse të gjithë janë ricikluar. Por periudha midis formimit të tokës rreth 4.5 miliard vjet më pare, dhe filllimit të Kembrianit rreth 542 milion vjet më parë, është përcaktuar si eona Prekembriane. Pra, si mund ta shpjegojmë faktin kur shkencëtarët braktisin një teori për një tjetër?! A janë teoritë e reja objektivisht më të mira? Në këtë logjikë të ftohë dhe ekstremisht sterile nga pikëpamja e vërtetësisë, ky term, qoftë shkencërisht apo jo,mund të interpretohet me mijëra mënyra të ndryshme. Gjithsesi, disa aspekte të rëndësishme duhet  t’i kemi përherë dhe ndër breza parasyshë: Njeriu i vërtetë, proekupohet për jetën, gjeneratat, transmetueshmërinë, qëndrueshmërinë, pra për mbrojtjen e jetës në vetvete; tendenca e njeriut për t’u ndarë nga të tjerët është instiktive; tendenca e bashkimit ndodh  kur njerëzit janë të angazhuar në aktivitete; dy shembuj kryesorë të angazhimeve që bashkojnë njerëzit  janë, monoteizmi dhe tregëtia apo marrëdhënjet tregtare midis njerëzve; kombi është një lloj i veçantë kulture dhe një lidhje e vetëdijshme sociale. Kështu, të paktën që nga koha e pellazgëve, ndërthurja e këtyre tendencave njerëzore, me një theks të veçantë të së parës, ka kristalizuar kulturën, gjuhën krejtësisht origjinale të kultivuar “në ferrin” e dy gjuhëve që i kanë dhënë kuptim botë së sotme, - që janë latinishtja dhe greqishtja - traditat dhe vetëdijen e identitetit tonë kombëtarë, veçori këto që duan kohën e nevojshme për t’u formësuar.

Për monoteizmin s’kemi ç’të themi, pasi e kemi fare të qartë se si janë munduar ndër shekuj t’i përçajnë me anë të fesë shqiptarët bizantinët, sllavët, grekët e turqit. Por fatmirësisht, megjithëse po punohet intesivisht për të nxitur konflikte fetare ndër shqiptarët, harmonizimi fetar është në nivele të jashtëzakonshme.

Ekonomia, siç ka bërë  në të kaluarën kur ekzistonin mundësitë e shkëmbimit midis shqiptarëve, do vazhdojë të konsolidojë gjithnjë e më shumë shqiptarinë, pavarësisht disa orvajtjeve dashakeqe për ngritjen apo mosheqjen e barrierave të disa politikanëve të hapësirës shqiptare. Rruga Durrës-Kukës, pa dyshim që bashkon dy motorët e kombit, Kosovën me Shqipërinë. Kosova kishte rreth 10% të pasurive natyrore të ish Jugosllavisë, kur  përfaqësonte vetëm 4.2% të territorit dhe rreth 6% të popullsisë së kësaj sipërfaqeje. Ajo kishte 30% rezervave energjitike, 69% të mineraleve të plumbit dhe zinkut, 52% të rezervave të magnezit, 22.3% të rezervave të nikelit dhe rezerva të konsiderueshme të arit dhe argjëndit. Ndërsa për Shqipërinë, duhet theksuar dobishmëria që kjo rrugë i sjell rajonit Verilindorë në veçati, sepse ky rajon përbënte një shqetësim konstant për vendin. Kështu, pas copëtimit të Shqipërisë(v.1913) dhe ndërprerjes së lidhjeve ekonomike dhe tregtare me trevat e mbetura përtej kufirit, ky rajon u gjend pa burime të mjaftueshme jetese. Për shkak të relievit të thyer malor, ftohtit dhe sezonalitetit të transportit, ky rajon është marrë tradicionalisht me blegtori, ndërsa drithërat dhe produktet e tjera bimore i siguronte në tregjet e Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe Dibrës. Deri në vitet ’50 marrëdhënjet ekonomiko-tregëtare me pjesën bregëdetare të Shqipërisë kanë qenë tepër të kufizuara, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore. Rruga Durrës-Kukës, megjithëse nuk ka shumë degë në mënyrë që hyjë sa më në thellësi të produkteve shqiptare, po e rivitalizon këtë rajon. Ky rajon përfshin rreth 24% të territorit dhe rreth 15% të popullsisë së Vendit, në të gjëndet rreth 35% e fondit pyjor të Shqipërisë. Shquhet për kullota të pasura të cilat përbëjnë 25% të kullotave në shkallë vendi, 30% e patateve dhe mbi 20% e frutave rriten  këtu. Ky rajon prodhon 90% të kromit, mbi 50% të bakrit dhe mbi 35% të energjisë elektrike etj.

Ndërsa afrimi në distancë i resurseve turistike, përbën një makth të vertetë për vendet rivale të rajonit në këtë komponent. Brehovica e sporteve dimërore, sidomos potencialet e Bjeshkëve të Namuna dhe Sharrit, bregdeti ranor i Adriatikut dhe  bregdeti piktoresk i Jugut, duke qenë në një distancë kaq të afërt, përbëjnë një trinom të papërsëritshëm në rruzullin tokësor. Nga Ulpiana e kohërave paraantike e në Butrintin antik, ndodhen aq shumë objekte arkeologjike dhe shtresëzime kulturore saqë, çdo turist i globit do të ishte i interesuar t’i vizitonte ato. Hapësira shqipëtare nga Tivari në Medvegjë dhe nga  Manastiri  në Prevezë, në aspektin ekonomik realizon një kopmplementaritet perfekt rajonal, prandaj është bërë edhe shkak i inkursioneve të vazhdueshme me mjete nga më të ndryshmet, duke filluar që nga nxitjet e konflikteve fetare e deri në intriga të paimagjinueshme.

Nga përvoja historike, një popullsi në rritje nënkupton edhe fuqi në rritje. Në të gjithë hapësirën shqipfolëse popullsia shqipëtare dallohet për fertilitet të lartë dhe mesatare moshore të re në krahasim me popullsitë e tjera. Në një kohë kur numri i gjuhëve të huaja në rang global po zvogëlohet, shqipja  po fuqizohet (Në vitet 1900 në Evropë u flisnin 201 gjuhë, ndërsa sot, rreth 140, Globalization Research Centre, University of Hawai’i-Manoa). Sigurisht që ata që hapën temën e gjuhësisë para pak kohësh i dinë mirë këto fakte.

Pra, duke pasur parasyshë këto pasuri marramendëse, shumëkush mund të pyesë se si ka mundësi që banorët e kësaj hapësire jetojnë relativisht më në varfëri se vendet fqinje? Padyshim që përgjigjja e kësaj pyetje gjendet në veprimet e përditshme që politikanët e Kosovës, Shqipërisë,  dhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë dhe Malit të Zi bëjnë. Pasi nuk ka shpjegim tjetër. Por jam i bindur se këta politikanë, ose do sensibilizohen e të bëjnë gjënë e duhur, ose do zbythen me votën popullore.
Qasja e heqjes së çdo barriere, e konsolidimit të shkëmbimeve ekonomike dhe ndërtimi dhe konsolidimi i sa më shumë urave lidhëse midis hapësirës shqiptare, është e vetma rrugë që sjell zhvillim. Është një qasje e imponuar nga rrethanat po të kemi parasyshë se si sillen dhe janë sjellur ndër shekuj fqinjët tanë. Ndërsa thirrjet për bashkim, mendoj se janë broçkulla politike e populiste, nga të cilat mendoj se duhet bërë shumë kujdes. Sigurisht që edhe unë e dua bashkimin, por për momentin ka gjëra më të rëndësishme se bashkimi, si unifikimi i sistemit edukativ, juridik, administrativ, heqja e barrierave etj. Dhe nga ana tjetër, kjo është rruga më e mirë për të rrespektuar dhe për t’u përulur përpara Aleatëve tanë dhe atyre që na falën Lirinë; kjo është rruga e integrimit në Europë.

Siç u theksua edhe më lart, tregëtia është një nga tendencat kryesore që bashkon njerëzit. Në këtë sens, kompanive të fuqishme tregëtare zakonisht nuk u interesonjnë aspektet kombëtare, por janë të detyruara t’u interesojnë vlerat lokale, në mënyrë që të kenë sukses. Dhe janë pikërisht këto vlera të përbashkëta që duhen konsoliduar.

Dhe së fundi dua t’i bëj një apel miqësorë  analistëve dhe opinionistëve që ndoshta edhe pa ndërgjegje, tentojnë të zbehin ato ura lidhëse të ndërtuara me aq mund nga shqiptarët, pasi kjo nuk është rruga e duhur dhe as i shërben të mirës publike, apo më të mirës publike.
Shekulli XXI, Shekulli i Shqiptarisë Shekulli XXI, Shekulli i Shqiptarisë Reviewed by Marion Mardodaj on 10/17/2014 10:55:00 AM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.