Loading...

Reforma në Drejtësi, Nishani mbledh Ramën e Bashën në tryezë: Të jetë gjithëpërfshirëse


Reforma në Drejtësi, Nishani mbledh Ramën e Bashën në tryezë: Të jetë gjithëpërfshirëse

Reforma në Drejtësi, e thirrur nga presidenti Bujar Nishani, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, ka mbledhur në një takim krerët më të lartë të politikës shqiptare, përfshirë dhe liderët e dy partive më të mëdha në vend, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Sipas burimeve që raportojnë nga ky takim, mësohet se kryeministri nuk është takuar dhe nuk ia ka dhënë dorën kreut të PD-së para nisjes së takimit siç ndodh rëndom kësi rastesh.

Fjalën e hapjes e ka mbajtur kryesuesi i këtij takimi, presidenti Nishani, i cili ka theksuar rëndësinë e madhe të reformës në drejtësi, duke kërkuar monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë për një proces sa më transparent.

“Ndihem i motivuar që jemi mbledhur në një tryezë të tillë për drejtësinë, – tha Nishani. –  Kjo reformë duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Një reformë e vërtetë, duhet të ketë parasysh faktin se drejtësia është një themel i funksionimit të shtetit të së drejtës, siguri për funksionin normal të çdo institucioni dhe shërbim thelbësor për qytetarët. Pavarësia dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë duhet të respektohet nga të gjithë”.

Meta: Reforma shërben në afrimin e Shqipërisë me BE-në

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e thirrur nga presidenti për reformën në drejtësi, duke shpresuar që ky të jetë hapi i parë në rikthimin e saj në jetën parlamentare.

Meta ka kërkuar konsensus për këtë reformë të rëndësishme të vendit siç e theksoi ai, “sepse do të shërbente në progresin e arritjes së standardeve që afrojnë Shqipërinë me BE-në”.

“Besoj se pavarësisht nga ndarjet politike, duhet të ndajmë mendimin e përbashkët se reforma në drejtësi është e domosdoshme. Tryeza e sotme shpresoj të jetë një ndihmë e dobishme në ndryshimin e kësaj situate. Reforma do të rrisë besimin e qytetarëve te sistemi gjyqësor dhe do të përshpejtojë integrimin e vendit në Evropë”.

Rama: Me këtë reformë nuk na pranon as BE-ja

Ndërkohë, kreu i qeverisë Edi Rama ka folur për një proces që duhet të jetë mbi palët dhe se prania e BE-së do të ndihmojë në përshpejtimin e reformës në drejtësi.

“Në radhë të parë, – tha Rama, – Shqipëria nuk mund të pranohet me këtë sistem as nga BE-ja. Janë afro më shumë se 90% e shqiptarëve që besojnë se në vend nuk ka drejtësi dhe se sistemi nuk funksionon.  Janë 90% e shqiptarëve që thonë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se për të fituar një gjyq nuk është sesa ke të drejtë, por sa para ke për të paguar.

Dhe nuk e teproj kur them se janë 100% të partnerëve ndërkombëtarë që nuk besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe që besojnë se në Shqipëri drejtësia është e korruptuar. Nuk gaboj kur them se ata që na shohin këtu të mbledhur ne njerëz të drejtësisë e politikës, na shohin më shumë si pjesë të problemit se pjesë të zgjidhjes. Ky sistem, është kthyer në një korporatë të rrezikshme, që unë do ta cilësoja si korporata e prokurorëve të korruptuar në këtë vend”.

“Të ulemi të gjithë së bashku rreth tryezës dhe të tregojmë se e kemi seriozisht për të dalë nga kjo histori e tmerrshme e gjithë këtyre viteve dhe të përmbysim grafikun që të gjithë e kemi parasysh”, – përfundoi Rama.

Basha: Qeveria të qëndrojë larg gjyqësorit

Nga ana e tij, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se opozita është e gatshme të bashkëpunojë për reformën në drejtësi, e cila duhet të mbetet brenda kuadrit evropian.

“Ne i kemi ndërprerë marrëdhëniet me parlamentin për arsye që dihen botërisht, – deklaroi Basha. – Drejtësia është një nga temat e mëdha të konfliktualitetit politik në vend. Prania tek trupa e ligjvënësve e individëve të dënuar për krim të organizuar, komprometon motivet dhe drejtpeshimin për të marrë në dorë rolin e reformatorit. Ne e mbështesim dhe kërkojmë zbatimin e modelit evropian për reformimin e drejtësie. Drejtësia duhet të jetë llogaridhënëse dhe qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori, duhet të konsolidohet pavarësia e gjyqësorit. Modeli evropian që ne kërkojmë e bën drejtësinë efikase pa e bërë drejtësinë kurban pa e futur nën sqetullën e pushtetit”, tha Basha.

Basha theksoi se mazhoranca bnuk ka asnjë vizion për këtë proces: “Nuk mund të ketë model evropian kur qeveria shkel kushtetutën dhe synon të kapë KLD-në dhe magjistraturën”./shqip/
Reforma në Drejtësi, Nishani mbledh Ramën e Bashën në tryezë: Të jetë gjithëpërfshirëse Reforma në Drejtësi, Nishani mbledh Ramën e Bashën në tryezë: Të jetë gjithëpërfshirëse Reviewed by Marion Mardodaj on 10/06/2014 11:32:00 AM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.