Prokuroria: Adrian Fullani person me rrezikshmëri të lartë, duhet të rifutet në burg

 Zbardhen të plota argumentet e prokurorisë, për të rikthyer në burg ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili dyshohet për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", lidhur me megaskandalin e vjedhjes në Thesarin e Shtetit. Në krye të herës, prokuroria rendit të gjitha shkeljet ligjore, që pretendohet se ka kryer ish-kreu i Bankës Qendrore, e mandej dhe arsyet përse kërkohet nga Gjykata e Lartë që të caktohet ndaj tij masa e sigurisë "arrest me burg". Fullani ndodhet në arrest shtëpie prej pasdites së 15 shtatorit, me vendim të Gjykatës së Apelit, vendim që sipas prokurorisë, është i pabazuar në ligj dhe si i tillë duhet prishur.

 Në rekursin e prokurorisë thuhet se personi nën hetim Ardian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë ka kryer këto shkelje; Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendës guvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë; në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë; Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikë-qyrës. "Pra Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë", thekson prokuroria.

REKURSI 
Duke iu rikthyer nevojës për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg", prokuroria arsyeton mes të tjerash, se Ardian Fullani paraqet rrezikshmëri të lartë. Së pari arsyeton organi i akuzës, ekzistojnë dyshime të arsyeshme bazuar në prova, se personi nën hetim Ardian Fullani e ka kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Në vijim, prokurorët theksojnë në rekurs se ekziston rreziku që Fullani mund të dëmtojë marrjen e provave.
"Kjo nevojë ekziston pasi personi nën hetim Ardian Fullani mund të dëmtojë procesin e marrjes apo vërtetësisë së provave, për faktin e detyrës që ka patur si Guvernator i Bankës së Shqipërisë", theksohet në rekurs. Prokurorët shkojnë më tej në argumente. Gjykata e Apelit, në vendimin për zbutjen e masës nga arresti me burg në atë të arrestit shtëpiak, argumentojnë se Fullani nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Ndërsa për prokurorët rrezikshmëria shoqërore e ish-guvernatorit është e lartë. "Në rastin konkret për personin nën hetim Ardian Fullani, ne si organ akuze me qëllim vlerësimin e vendimit lidhur me caktimin e një mase të përshtatshme, e cila do të garantojë nevojat e sigurimit, që lidhet me rrezikun që paraqet personi nën hetim Ardian Fullani, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, për të dëmtuar procesin e provave, mbajmë parasysh sa vijon: Fakti për të cilin ka filluar procedimi penal konsiderohet shumë i rëndë, referuar jo vetëm sanksionit që parashikohet për veprat penale që dyshohet të ketë kryer personi nën hetim Ardian Fullani, por edhe impaktin që ka pasur kjo në shoqëri. Personi nën hetim Ardian Fullani, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë ne se masa e sigurimit "arrest ne burg" është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal", thuhet në rekurs./balkanweb/.
Previous Post Next Post