Ministri i Financave takon delegacionin e BERZH


 Ministri i Financave takon delegacionin e BERZH

 Ministri i Financave, Besim Beqaj, zhvilloi një takim sot me Bordin e Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjatë të cilit biseduan në lidhje me sektorët më kritikë, që do të ndihmohen nga BERZH-i.

Sipas KosovaPress, Beqaj duke bërë të ditur se Kosova gjatë vitit të kaluar është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e vlerësoi  shkëlqyeshëm bashkëpunimin me BERZH.


“Sot folëm për stabilitetin makroekonomik, perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen, në fushën e projekteve të karakterit rajonal, duke marrë parasysh hekurudhat, rrugët, rregullimin e sektorit të energjisë dhe sektorë të tjerë, të cilët janë në interes të veçantë për ne”, tha Beqaj.
Dy projekte , vijoi ai janë deri tani më të aprovuara dhe janë duke u analizuar në kuptimin e përgatitjes së dokumentacionit, është projekti për lidhjen hekurudhore nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë Kosovë dhe pastaj do të vazhdojë me dy projekte të tjera, të cilat do të shkojnë deri në kufi me Serbinë.

“Një projekt tjetër që është duke u përgatitur është në fazën e analizimit , është financimi i rrugës në drejtim nga Kieva në drejtim të Pejës, ky është bashkëfinancim me Bankës Evropiane për investime”, tha Beqaj.
Projekti për hekurudhën nga Kufiri me Maqedoninë deri në Fushë Kosovë, kap vlerën prej 90 milionë euro.
Ndërsa, Evren Dilekli, udhëheqës i delegacionit të bordit të drejtorëve të BERZH-së, tha se “kjo është vizita e parë e bordit të drejtorëve të BERZH. Pavarësisht se Kosova është anëtare e re, së bashku kemi filluar shumë mirë që një vit e diçka dhe kemi një politikë të fuqishme për të ardhmen, kështu që BERZH është shumë e përkushtuar që t’i përkrah njerëzit në Kosovë dhe shtetin e Kosovës, si dhe perspektiven e së ardhmes së këtij vendi. Kjo është një vizitë e shkurtër, ku do të takohemi me zyrtarë qeveritarë, klientë të biznesit, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të administratës lokale, shoqërinë civile”, theksoi Dilekli.
“Ne kemi biseduar për përvojën e deritanishme me autoritetet, me BERZH, se si ata i vlerësojnë fushat e bashkëpunimit dhe gjithashtu për atë se në cilat fusha do të fokusohemi, dhe se cilat janë fushat kritike, siç është përmendur, energjia, infrastruktura, sektori privat. Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër për të njoftuar se pse ne jemi këtu”, tha Dilekli.
Previous Post Next Post