Loading...

Ish-drejtori i QSUT kallëzohet në Prokurori nga KLSH për keqmenaxhim fondesh


 Ish-drejtori i QSUT kallëzohet në Prokurori nga KLSH për keqmenaxhim fondesh

Kontrolli i Lartë i shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin e QSUT Edmond Rrushaj dhe 4 drejtues të tjerë të këtij institucioni për keqmenaxhim fondesh. Nga auditi i KLSH rezulton se personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal kanë keqmenaxhuar fonde në vlerën 560 mijë dollarë dhe shkaktuar dëm ekonomik në masën 350 mijë dollarë.

"Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi auditimin në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”(QSUT), me temë “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së aktivitetit ekonomiko-financiar” për periudhën 01.01.2013 deri më 31.12.2013.

Për të gjitha shkeljet, KLSH ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal me nr. 221/14, datë 24.09.2014 për E.Rr, ish-Drejtor i Përgjithshëm, në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, E.B., ish-Përgjegjës i Njësisë së Inxhinierisë Klinike, në cilësinë e Kryetarit të Njësisë së Prokurimit, R.B., anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sepse, gjatë zbatimit te procedurës se prokurimit me objekt “Mirëmbajtja dhe riparimi i 1 (një) rezonance manjetike dhe 3(tre) CT-Skaner GE”, kanë kryer veprime të kundërligjshme të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 dhe neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”.

Po ashtu, KLSH ka kryer kallëzimin penal me nr. 221/15, datë 24.09.2014, për E.Rr, E.B., F.M., ish-shef i Shërbimit Farmaceutik dhe A.GJ, ish-Përgjegjësi i Sektorit Teknik, për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat, sipas nenit 248 dhe nenit 258 të Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”, sepse gjatë vitit 2013 kanë shmangur përdorimin e procedurave standarde të prokurimit dhe kanë realizuar 54 procedura prokurimi me “negocim pa shpallje paraprake të kontratës” (të drejtpërdrejta), me fond limit të përgjithshëm në vlerën 1,280.000 lekë(2)”- bën me dije KLSH.

Me tej theksohet se për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar QSUT 29 masa organizative, 4 masa për shpërblim të dëmit të shkaktuar në vlerën totale 35,500, 000 lekë, si dhe 16 masa disiplinore. KLSH ka kërkuar marrjen e masave disiplinore “zgjidhje e kontratës së punës” për 5 punonjësit e mësipërm të QSUT dhe masën disiplinore “vërejtje me shkrim” për 11 punonjës të tjerë.


SHKELJET E KONSTATUARA
1. Gjatë vitit 2013, QSUT ka realizuar 159 procedura prokurimi me fond limit te përgjithshëm ne vlerën 2,910,405,000 leke, nga të cilat 54 procedura me “Negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, me vlerë të përgjithshme rreth 1,280.000.000 lekë. Si pasojë e këtyre procedurave, institucioni ka shmangur, në disa raste edhe qëllimisht, zbatimin e procedurave standarde të tenderimit, duke mos lejuar konkurrimin në tender të subjekteve të tjera private.
Autoriteti Kontraktor ka përzgjedhur këtë procedurë në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke e argumentuar me nevojat emergjente, mbështetur në kërkesat e shefave të shërbimeve, të cilët, si pasojë e mungesave të barnave dhe medikamenteve, materialeve të mjekimit, etj, kërkojnë furnizim për nevojat spitalore. Këto kërkesa janë pjesë e menaxhimit normal të institucionit dhe nuk dokumentojnë apo argumentojnë krijimin e situatave emergjente, të cilat mund dhe duhej të kishin ardhur për shkak të rrethanave të veçanta apo për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme. Emergjencat e herëpashershme janë krijuar nga veprime apo mosveprime të vetë Autoritetit Kontraktor.
Përzgjedhja e procedurës me “Negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës” është bërë ne kundërshtim, me Ligjin nr. 9643, date 20.11.2006 “Për rregullat e Prokurimit Publik”, dhe me VKM nr.1, date 10.01.2007 “Për rregullat e Prokurimit Publik”.

2. Në QSUT për rreth 8 vjet, zhvillimi i procedurës së prokurimit me “negocim pa shpallje paraprake të kontratës” ka qenë mëse i zakonshëm, sidomos gjatë katër muajve të parë të çdo viti. Përdorimi i kësaj procedure justifikohej me nevojat emergjence për barna e medikamente, pasi procedurat e hapura te prokurimit nuk fillonin gjatë muajve të parë për shkak të mungesë së çeljes së fondeve nga Buxheti i Shtetit, dhe hapjen e procedurave te prokurimit pa pasur fonde në dispozicion nuk e lejonin rregullat e prokurimit publik. Mirëpo, situata e vitit viti 2013 është krejt ndryshe nga vitet e mëparshme, sepse, në fund të dhjetorit të vitit 2012, rregullave të prokurimit i janë bërë disa përmirësime thelbësore. Konkretisht, në datën 23.01.2013 ka hyrë në fuqi VKM nr. 32, i cili e lejon Titullarin e Autoritetit Kontraktor që, pa pasur fonde në dispozicion, të fillojë, me miratimin e ligjit vjetor të buxhetit, menjëherë procedurat e hapura të prokurimit.

Pra, baza ligjore e prokurimit është përmirësuar dhe nuk të lejon të përdorësh procedurën me negocim, nëse nuk përmbushen kushtet e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore të sipërcituara. Kjo procedurë përdoret vetëm në raste tepër emergjente të mirëargumentuara, dhe jo kur emergjencat janë krijuar për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të vetë Autoritetit Kontraktor.

Me procedurat e hapura të realizuara gjatë periudhës maj-dhjetor 2013, në QSUT kanë përfunduar 27 tendera të hapur, të ndara me lote, me fond limit te përgjithshëm 730 milionë leke dhe janë lidhur 43 kontrata me vlerë të përgjithshme rreth 610 milion lekë. Nga Ministria e Shëndetësisë janë realizuar me blerje te përqendruar 15 procedura te hapura, të ndara me lote, me fond limit te përgjithshëm 800 milion leke dhe janë lidhur 18 kontrata me vlere të përgjithshme rreth 405 milion leke.

Pra, nga zbatimi i procedurave te hapura vetëm për blerje barna, medikamente dhe materiale mjekësorë ka pasur një impakt pozitiv ne mirepërdorimin e fondeve buxhetore duke i kursyer buxhetit të shtetit fonde te konsiderueshme. Ndërsa nga zbatimi i procedurës me negocim, është bërë që nga 1,280,000,000 lekë fonde buxhetore të prokuruar, të mos i kursehet buxhetit të shtetit asnjë lek.

3. Gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt “Mirëmbajtja dhe riparimi i 1 rezonance manjetike dhe 3 CT-Skaner GE”, janë kryer veprime të kundërligjshme, si pasojë e të cilave është prishur qëllimisht kontrata ekzistuese për mirëmbajtjen dhe riparimin e skanerit që QSUT kishte me një subjekt privat dhe është lidhur jashtë procedurave ligjore kontrata me një subjekt tjetër privat. Është zhvilluar procedura e prokurimit me negocim pa njoftim paraprak të kontratës, me fond në vlerën 87,576,000 leke. Po në të njëjtën datë është lidhur edhe kontrata me shoqërinë fituese, me vlerë 84,936,000 lekë. Për rrjedhojë, QSUT me pretekstin e ekzistencës së kushteve të emergjencës, ka justifikuar shkeljen e procedurave standarde të tenderimit dhe shmangien e konkurencës në këto procedura. Shoqëria fituese e këtij tenderi nuk ka paraqitur dokumentacion që të vërtetojë se është e regjistruar në regjistrat përkatës profesionalë apo tregtarë, për të vërtetuar personalitetin e saj ligjor, në kundërshtim të hapur me rregullat e prokurimit publik. Si pasojë e këtyre shkeljeve, shoqëria kontraktuese ka përfituar padrejtësisht fonde buxhetore, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit dëm ekonomik në vlerën 30,956,000 lekë.

4. U konstatua një gjëndje e lartë medikamentesh të skaduara në depot farmaceutike të QSUT. Kështu, rreth 107 artikuj (barna dhe medikamente të skaduara) rezultojnë gjëndje nga viti 2012, me vlerë 40,909,510 lekë, ndërsa për vitin 2013, vlera e medikamenteve të skaduara arrin në 15,370,410 lekë. Dëmi i shkaktuar nga keqadministrimi apo pakujdesia në planifikim të nevojave, si dhe nga shpërndarja e medikamenteve, kap kështu shifrën 56,279,919 lekë. Gjatë inventarizimit janë konstatuar gabime në hedhjen në sistemin SISP të afateve të skadimit të artikujve.

5. Në 9 raste të blerjeve të mallrave, shërbimeve dhe punëve, është vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, pasi brenda vitit kalendarik janë copëtuar fondet nën kufirin e ulët monetar prej 400,000 lekë, me qëllim shmangien nga procedurat standarte konkurruese të prokurimit.

6. Nga auditimi i procedurave të dhëniet së objekteve me qira u konstatua se gjate viti 2013 në QSUT, ka pasur kontrata te lidhura për dhënie me qira te 39 objekteve. Nga këto: që nga vitit 2011 janë lidhur kontrata me afat 5 vjeçare për 12 objekte, në vitin 2013 është lidhur një kontrate (parkimi i makinave) me afat 20 vjeçar dhe 26 kontrata të tjera kanë qenë me afat 1 vjeçar. Gjate këtij viti kontratat me afat 1 vjeçar janë ndërprerë me Urdhrin e MZHET&S nr. 9, datë 27.09.2013 “Për anulimin e Kontratave të qirasë të lidhura në territorin e QSUT”. Nga 12 subjektet qe kane kontratat ne fuqi, 7 prej tyre nuk kanë likuiduar detyrimet që rrjedhin nga këto kontrata në vlerën 3,035,017 lekë, si dhe 11 subjekteve që ju janë anulluar kontratat nuk kanë shlyer detyrimet kontraktuale në vlerën 1,401,422 lekë, për pasoje nuk janë derdhur ne arkën e shtetit 4,436,439 leke.

7. Gjendja kontabël e inventarëve të pasurisë së QSUT, për shkak të mos mbajtjes për një kohë të gjatë të inventarëve fizikë, nuk pasqyron saktësisht lëvizjen e aktiveve të këtij institucioni si, blerjet, dhurimet, nxjerrjet jashtë përdorimit, kalimet kapitale, shitjet, mungesat apo tepricat që mund të rezultonin nga kryerja e inventarëve fizikë. Në fund të vitit 2013, vlera e llogarisë 214 “Insta.tek.makineri e pajisje” sipas inventarit fizik është 5,956,233,490 lekë, ndërsa gjendja kontabël e kësaj llogarie është 6,163,282, 063, me një diferencë prej 207,048,573 lekë, çka do të thotë se gjatë vitit 2013 janë blerë apo janë dhuruar pajisjeve dhe aparatura, të cilat nuk janë pasqyruar në inventarët e pasurisë së QSUT./balkanweb/.
Ish-drejtori i QSUT kallëzohet në Prokurori nga KLSH për keqmenaxhim fondesh Ish-drejtori i QSUT kallëzohet në Prokurori nga KLSH për keqmenaxhim fondesh Reviewed by Marion Mardodaj on 10/01/2014 04:25:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.