PD: Policia po manipulon krimin, drejtoresha është aktiviste e PS


silvi-bardhii-25-nentor-263x200

Opozita e cilëson ngjarjen në fshatin Gjorm si një goditje për rendin dhe arsimin

Plagosja në shkollë ka sjellë dje reagimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike, e cila është shprehur se kjo është goditje për rendin dhe arsimin. Madje, koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi, ka deklaruar se policia po bën përpjekje për të lehtësuar pozitat e autorit, pasi familja e tij është e lidhur me Partinë Socialiste. “Kjo ngjarje kriminale është treguesi i gjendjes së rendit në vend, tregues i gjendjes së arsimit në vend. Kur djali i mësueses kujdestare shkon me pistoletë në shkollë dhe qëllon një nxënëse, janë goditur dy kolonat që mbajnë një shoqëri, rendi dhe arsimi.
Por edhe më e rëndë bëhet ngjarja, kur mësohet se në këtë krim është përfshirë edhe policia, duke i bërë hetimet në favor të autorit. Burimet e Partisë Demokratike tregojnë se ka një orientim për ta raportuar ngjarjen si një plagosje të lehtë, sikur pasojat janë disa gërvishtje. Ndërkohë, e plagosura i është nënshtruar një operacioni të vështirë në sallën e reanimacionit, ku i është hequr një plumb në kokë, dhe falë punës së mjekëve, ajo ka dalë nga rreziku për jetën. Duhet shkruar gërvishtje, sepse familja e autorit është e njohur si aktiviste e mbështetëse e Partisë Socialiste. Duhet manipuluar ngjarja, sepse drejtoresha e shkollës, e afërme e autorit, është kryetarja e Partisë Socialiste të zonës. Partia Demokratike e dënon krimin e ndodhur sot në shkollë dhe i kërkon policisë të bëjë detyrën që i ngarkon ligji, e të mos bëjë shërbime e favore politike para kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, tha Bardhi nga selia e PD-së.

Ndërkohë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-kryeplaku i fshatit Gjorm, Cuman Shenaj, i cili e ka shoqëruar për në spital vajzën e plagosur. Ai ka shprehur pakënaqësinë, i revoltuar për situatën në shkollën e mesme të fshatit Gjorm, si dhe për mësueset e kësaj shkolle. Sipas tij, djali hynte dhe dilte në shkollë i armatosur, sa herë që donte, sepse e linte nëna dhe halla e tij. Ish-kryeplaku i fshatit Gjorm, aktualisht anëtar i kryesisë së pleqësisë së këtij fshati, shpreh shqetësimin për mësuesit e kësaj shkolle që, sipas tij, janë joprofesioniste dhe pa diplomë. “Ky i ri, çdo ditë vinte me armë në brez dhe i kërcënonte nxënësit, duke mos i hyrë asnjë gjemb në këmbë, pasi ishte i mbrojtur nga mamaja dhe halla e tij, që ishin mësuese në këtë shkollë”, tha Shenaj, duke hedhur akuza më të forta për nënën e të dyshuarit, pasi, sipas tij, është e përfshirë në këtë krim. Ai pretendoi se mësuesja e matematikës ka shkuar në klasën që ishte duke bërë mësim 17-vjeçarja, e ka nxjerrë nga klasa, duke i thënë se e pret dikush jashtë. “Pasi ka dalë nga ora e mësimit, adoleshentja është ndeshur me egërsinë e të riut, i cili e ka dhunuar fizikisht dhe më pas e ka qëlluar disa herë me pistoletë, duke e plagosur”, tha Shenaj. Sipas tij, nuk është vetëm kjo situatë në fshatin Gjorm, por ka dhe probleme të shumta të tjera, të cilat sollën këtë plagosje/Shqip/..
Previous Post Next Post