Loading...

Një intervistë antishqiptare që “kërkon të mbrojë krimin...”

Nga Marion Mardodaj
“Maks Velo: Pse jam antiverior dhe antimysliman”, ky ishte titulli i një interviste që gazetari i “Mapo” Alfred Lela i bëri Maks Velos, publikuar më datë 6 Shtator në këtë gazetë. Për nga forma se si është shtruar kjo intervistë, tregon qartë që gazeta “Mapo” e ka kërkuar një lajm të tillë dhe ka dashur të ngjallë reagime të forta në opinionin publik, të cilat, në një kohë tjetër, mund të gjeneronin revolta popullore dhe viktima të bukura ose të shfytyruara. Ndryshe, ky titull mund të shkruhej “Pse jam antishqiptarë”. Është e qartë që shumica e veriorëve janë katolik, Mesi dhe Jugu i Shqipërisë janë me shumicë myslimane. Pra Maks Velo thotë që është edhe antijugorë.

 Kështu, po të marrim kriterin fetar dhe krahinorë të kërkuar dhe servirur nga “Mapo”, Maks Velo është proortodoks, të cilët mund të jenë edhe minoritarë grek, vlleh, ndonjë serb apo maqedonas. Me statistikat e fundit i bie që Maks Velo është 83% antishqiptarë, është antishqiptarëve të Kosovës, është antishqiptarëve të Iliridës, është antishqiptarëve çam, është antishqiptarëve të Malit të Zi;  pra: antishqiptarë. Me pak fjalë, Velo është proortodoks dhe paradoksalisht, proateist marksist apo prokomunist.

Pavarësisht se kjo intervistë ka ngallur reagime të shumta e të larmishme, personalisht nuk çuditem aspak me deklaratat apo me mendimet e Maks Velos, pasi si ai mund të ketë plot në Tiranë e Shqipëri për t’u intervistuar, siç p.sh., u intervistua Irinei Gavrilloviç para pak muajsh nga një tjetër media, mund të intervistohet edhe Janullatusi, Bollano, Dule, ndonjë mjekrosh që po përgatitet të shkojë në Siri apo Irak për të luftuar në krah të ISIS. “Shqipëria duhet të kthehet e gjitha në xhihad,” më tha një plak i rrjedhur para pak ditësh. Edhe këtyre personazheve mund t’u drejtohen të njëjtat pyetje siç i janë drejtuar Maks Velos: “A jeni antigeg ju zoti...?”, “Po antimysliman a jeni...?”, “Po antiortodoks, antikatolik, antikrisht, antibektashi, antizogist, antidemokrat..., “Çfarë ju trishton më shumë nga Shqipëria....?”. Në këtë këndvështrim, çdo njeri ka rezervat e tij për një fe, krahinë apo njeri, qoftë edhe në shtetet më të zhvilluara të globit, pasi në fund të fundit jemi qenie njerëzore. Këto rezerva apo të themi paragjykime, media dhe politika mund t’i kultivojë apo sheshojë. Në rastin tonë, gazeta “Mapo” po mundohet të kultivojë ndasitë fetare dhe krahinore dhe diçka po kërkon. Në kontekstin e suksesit apo mossuksesit të një gazete, “Mapo” mund t’i përmbahet parimit se “nuk ka rëndësi nëse të shajnë apo të lavdërojnë, mjafton të përmendesh apo të bëhesh subjekt debati, dhe suksesi vjen vetë”. Por druaj se nuk është pikërisht kështu, por edhe po të jetë, sërish është një intervistë e rëndë që mëton të nxisë trazira, ndasi fetare dhe krahinore. Në rastin e përfitimit klientelist-politik apo të diçkaje, gjërat bëhen me të vërtetë shqetësuese dhe efektet mund të jenë të paparashikueshme.

“Mapo” është një zgjatim i Universitetit Europian të Tiranës (UET) me administrator Henri Çilin, në të cilën shkruajnë një sërë analistësh e gazetarësh ku disa prej tyre japin mësim në këtë universitet. Në dokumentin e Zyrës së Tatimeve Tiranë të bërë publik nga mediat pak ditë më parë, rezulton se UET nuk ka paguar rreth 1.2 milion dollarë taksa. Ardian Civici është president i UET-së dhe njëkohësisht anëtarë i Këshillit Mbikqyrës në institucionin ku ndodhi superskandali dhe superkrimi më i madh financiarë pas firmave piramidale të vitit ’97, kur u vranë mijëra shqiptarë, si në kohë lufte: Bankës së Shqipërisë.

Pas arrestimit të Guvernatorit moralprishur të Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, deklaroi qartë: “Kini durim, gjërat kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë”. Kjo do të thotë që gjërat nuk mbarojnë këtu, por sapo kanë filluar. Kështu, gjërat nuk mbarojnë këtu as për presidentin e një institucioni edukimi që nuk i ka paguar buxhetit të shtetit 1.2 milion dolarë, që për ironi është ekonomist dhe anëtarë i Këshillit Mbikqyrës, i cili jep leksione publike për ekonominë. Gjërat nuk kanë mbaruar këtu as për Dhori Kulen, i cili është përfolur gjerësisht nga mediat për vjedhjet dhe abuzimet me fondet publike, që është gjithashtu anëtarë i Këshillit Mbikqyrës dhe në majën e edukimit publik shqiptarë. Gjërat nuk mbarojnë këtu as për të tjerët.

Çdo shkrim, intervistë apo opinion i publikuar nuk është rastësi. Çdo gjë që del në shtyp ka një qëllim të caktuar, që mund të jetë qëllim i mire, djallëzorë apo neutral.

Pas arrestimit të Fullanit, Prokuroria thirri tre anëtarët për të dëshmuar për superskandalin dhe supervjedhjen, Petraq Milon, Adrian Civicin dhe Dhori Kulen, të tre ortodoks që nuk përfaqësojnë vlerat e ortodoksisë. E vetmja, që fill pas skandalit kërkoi shkarkimin e Fullanit ishte Ermelinda Meksi, por anëtarët e tjerë nuk ishin dakord.

Këto fakte të çojnë të mendosh që Fullani ka pasur lidhje më shumë se profesionale me Kulen, Civicin dhe Milon, të cilët në njëfarë mënyre e mbrojtën Guvernatorin pas skandalit duke mos pranuar propozimin e Meksit për shkarkimin e tij. Si rrjedhojë, këta kanë peshën e tyre të përgjegjësisë në vjedhjen e bankës, të paktën duke mbrojtur Guvernatorin, ndërsa Prokuroria mund të nxjerrë fakte të reja që mund t’i ngarkojë me përgjegjësi edhe më të mëdha duke i arrestuar apo burgosur.

Çfarë kërkonte “Mapo” me këtë shkrim antishqiptarë dhe përçarës dhe ku donte të dilte, po të kemi parasyshë lidhjen Fullani, Kule, Civici, Milo?

Përgjigjja, sipas mendimit personal, është aq e thjeshtë, aq edhe tronditëse: të shpresonte të nxiste trazira të çfarëdolloji në vend, në shkëmbim të parave për shërbimin antikombëtarë, të cilat nuk i mungojnë të sipërpërmendurve, po të kemi parasyshë që i biri i Fullanit publikon foto duke fshirë djersët me kartmonedha 500 euroshe.

 Është e ditur që trazirat i ngrijnë organet shtetërore, e ngrijnë demokracinë, mbjellin kaos, mizori, vrasje, i japin mundësi qarqeve të caktuara të ndërtojnë teori të ndryshme konspiracioni duke i vënë me shpatulla për muri edhe politikanët më të zotë në vend. Në këtë mëyrë proceset zvarriten dhe drejtësia bllokohet, duke bërë që Fullani apo të tjerët t’i bishtojnë asaj.


Një refleksion rreth medias

Media ka për mision të informojë dhe formojë publikun. Ta informojë atë me ngjarjet e ditës dhe ta formojë atë kulturalisht, etikisht, moralisht, etj., mbi modelet dhe parimet më të mira të mundshme në kuadër të orientimit të përgjithshëm gjeopolitik, që për ne aktualisht është Europa Perëndimore, në të cilën ka me shumicë shembuj të mirë e të këqinj. Duhet ta pranojmë, dhe ta pranojnë të gjithë gazetarët e papërlyer e të ndërgjegjshëm, që në këto kohë barra kryesore e zhvillimit të shoqërisë shqiptare i mbetet medias dhe gazetarëve, të cilët në të shumtën e rasteve paguhen shumë keq, pavarësisht se një gazetarë i ndërgjegjshëm dhe i papërlyer bën njëkohësisht rolin e hoxhës, të priftit, të  mësuesit dhe të prindit. Ndërsa të tjerët, gjatë këtyre viteve të tranzicionit, kanë dëshmuar që janë të aftë vetëm për të vjedhur.

Për dijeni të publikut: Unë nga babai jam katolik, nga nëna jam mysliman, ndërsa nga gjyshja e mamasë  jam pasardhës i pastër i Vëllezërve Frashëri - bektashi; jam shqiptarë! Nuk kam vajtur asnjëherë në Kishë apo Xhami, por mundohen të përvetësoj vlerat dhe praktikat më të mira të të gjitha feve, pasi për mendimin tim Zoti nuk ndodhet në objekte por në mendjen, zemrën dhe veprimet që një njeri kryen. 
Një intervistë antishqiptare që “kërkon të mbrojë krimin...” Një intervistë antishqiptare që “kërkon të mbrojë krimin...” Reviewed by Marion Mardodaj on 9/09/2014 04:28:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.