Loading...

UEFA nis inspektimet në “Elbasan Arena”


stadiumi_8

Delegacioni i parë monitoron kushtet për mediat, sot e ka radhën eksperti i sigurisë



Kur mbeten pak më shumë se dy javë nga inaugurimi i impiantit të rindërtuar “Elbasan Arena”, UEFA ka filluar të monitorojë aspekte të ndryshme të stadiumit që do të kthehet në “shtëpinë” e kombëtares shqiptare të futbollit për Euro 2016. Pas delegacioneve që kanë monitoruar në periudha të veçanta rindërtimin e tribunave dhe ambienteve të brendshme, që nga dita e djeshme, UEFA ka nisur dërgimin e ekspertëve për sektorë të veçantë, në mënyrë që të bëjnë një kontroll të fundit më të detajuar të këtij impianti, që ka ndryshuar krejtësisht pamje brenda pak muajsh.

Delegacioni i djeshëm i UEFA-s ka qenë i përqendruar kryesisht mbi anën mediatike, duke kontrolluar se si janë bërë punimet për tribunën e gazetarëve, pikat e transmetimit, sallën e konferencave dhe ambientet ku do të krijohet e ashtuquajtura “zona miks”, që shërben pas ndeshjeve për të intervistuar pjesëtarët e skuadrave që do të luajnë në këtë stadium. Vëmendja më e madhe u është kushtuar pikave të transmetimit për të garantuar cilësi me standarde maksimale. UEFA është ajo që menaxhon të drejtat e transmetimit të kombëtareve dhe ka ndërtuar një kalendar të mirëfilltë me shpërndarjen në ditë dhe orare të ndryshme të ndeshjeve, për t’i dhënë shikueshmëri maksimale secilës për tyre. Kësisoj, ekspertët e institucionit që drejton futbollin në kontinentin tonë kanë monitoruar me kujdes kushtet që ofron “Elbasan Arena” në këtë pikëpamje.

Ndërkohë, sot e ka radhën vizita e një tjetër eksperti të UEFA-s, i cili do të vijë të monitorojë nga afër kushtet e sigurisë që ofron impianti. Në këtë vizitë, një vëmendje e veçantë nuk do t’u kushtohet vetëm ambienteve të brendshme të impiantit, por edhe sheshit përreth stadiumit, i cili duhet të plotësojë parametra të caktuar. Meqenëse sheshi para stadiumit dhe zona përreth tij ka pësuar ndryshime të mëdha, inspektori i sigurisë do të shohë nëse kjo hapësirë përshtatet plotësisht me kriteret e vendosura nga UEFA. Vëmendje e veçantë do të jetë edhe për hyrjet e tifozëve, daljet e emergjencës apo edhe planet e evakuimit të impiantit, për të shmangur incidente të mundshme. Të premten, “Elbasan Arena” do të vizitohet nga një ekspert tjetër i UEFA-s, i cili do të ketë si detyrë monitorimin e plotë të gjendjes së tapetit të gjelbër të stadiumit. Cilësia e lartë e terrenit garanton një cilësi më të lartë të futbollit të shfaqur në të, ndaj UEFA është treguar mjaft e kujdesshme edhe në këtë aspekt.

Dërgimi i vazhdueshëm i ekspertëve për stadiumin shqiptar tregon qartësisht se sa të larta kanë qenë kërkesat e UEFA-s dhe sa pak prej tyre janë plotësuar nga stadiumi “Qemal Stafa” në të kaluarën. Në kundërshtim nga impianti “relike” i kryeqytetit, nga “Elbasan Arena” kërkohet vendosja e një standardi të ri për vendin tonë. Kjo është arsyeja pse UEFA, FSHF, por edhe qeveria shqiptare, e cila ka financuar pjesën më të madhe të rikonstruksionit të stadiumit të Elbasanit, kanë monitoruar vazhdimisht punimet, të cilat në ditët e fundit janë zhvilluar thuajse me turne 24 orësh për të përfunduar sa më parë impiantin për të cilin deri tani janë shpenzuar rreth 4.2 milionë euro. Pas përfundimit të vizitave të delegacioneve të UEFA-s, pritet që FSHF të zyrtarizojë datën kur do të pritet shiriti i inaugurimit të impiantit, ndërsa mendohet se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë ditëve të para të grumbullimit të kombëtares shqiptare./Shqip*
UEFA nis inspektimet në “Elbasan Arena” UEFA nis inspektimet në “Elbasan Arena” Reviewed by Marion Mardodaj on 9/24/2014 05:54:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.