Çelet tryeza e rrumbullakët “Trashëgimia, Restaurimi, Arkeometria”



Në kuadrin e “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë dhe Diversitetit Kulturor në Ministrinë e Kulturës çeli sot në orën 9:30, tryezën e rrumbullakët me temë “Trashëgimia, Restaurimi, Arkeometria” , përmes së cilës synohet sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Nisma e Ministrisë së Kulturës “Trego Kulturën Tënde” përfshin organizimin e një sërë aktivitetesh në mbarë vendin, në kuadrin e 29 shtatorit, që përfaqëson gjithashtu edhe  “Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore”.

Pas fjalës së hapjes së takimit nga Zv.Ministri i Kulturës, Zef Çuni, cili përshëndeti aktivitetin, restauratori, Prof.As.Dr Frederik Stamati, paraqiti dhe diskutoi me të pranishmit lidhur me rëndësinë e objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe restaurimin e tyre.

Ndërkohë që në tryezën, e cila do të zgjasë deri në orën 11:30, do të diskutojnë edhe Prof.Dr Teuta Dilo, Prof.Dr Nikolla Civici, Ma.Edlira Duka, Ma Olta Cakaj, Ela Miziri, Ma Iris Bakiri dhe Ma Etleva Bushati, të cilët do të diskutojnë lidhur me arkeometrinë në trashëgiminë e veprave të artit, kërkimin e metalurgjisë ilire të hekurit dhe asaj të bakrit, konservimin, misionin dhe sfidat e arkeometrisë, datimit nëpërmjet teknikave analitike të fizikës bërthamore, dhe ndikimin e klimës së brendshme të muzeut në trashëgiminë kulturore./atsh/.
Previous Post Next Post