Loading...

Padrejtësi në heqjen e liçencave të universiteteve? Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës publikon fakte dhe pretendimet

Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për pezullimin e aktivitetit dhe heqjen e liçencave për disa institucione edukimi ka ngjallur reagime të larmishme në opinionin publik dhe më gjerë, ashtu siç pritej në fakt, po të kemi parasyshë që arsimi lidhet me formimin e brezave dhe të ardhmen e vendit. Disa universitete dhe media raportojnë që ka pasur anësi dhe padrejtësi në heqjen e liçencave dhe pezullimin e aktivitetit për disa universitete, duke paraqitur pretendimet dhe faktet përkatëse. Një gjë të tillë e ka bërë edhe « Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës », e cila, në një deklaratë për shtyp ka bërë me dije padrejtësitë - sipas pretendimeve dhe fakteve që ka paraqitur -  që i janë bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
                                                                DEKLARATË PËR SHTYP



Institucioni Privat « Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës », e liçensuar me Vendimin Nr. 281, datë 18.03.2009 të Këshillit të Ministrave, referuar Konferencës për Shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e gjen të arsyeshme dhe me vend të reagojë kundrejt secilit prej pretendimeve të ngritura në të.

Nisur nga sa më sipër, ne vlerësojmë se Vendimi i Këshilit të Ministrave për heqjen e liçencës Institucionit Privat « Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës » është i padrejtë, i pambështetur në ligj, dhe i pambështetur në Raportin e Kontrollit të Nëngrupit të Punës, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), si i vetmi akt administrativ që na është vendosur në dispozicion nga MAS me shkresën nr. 4537 Prot., datë 02.07.2014. Asnjë nga gjetjet e këtij raporti nuk konkludon dhe nuk mund ta çonte Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që t’i propozonte Këshillit të Ministrave, në heqjen e liçencës.  

Në mënyrë të përmbledhur po paraqesim gjetjet dhe komentet tona për Raportin e ekipit monitorues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si më poshtë:

1.      Në lidhje me verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë nga ana e Institucionit të Arsimit të Lartë (IAL-së) në procedurat e ndjekura për liçencim/akreditim programesh:
Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës (SHLNT) është Licensuar me VKM, Nr. 281, datë 18.03.2009 me organizim në Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë. Në vitin 2010, me urdhërin Nr. 309, datë 08.06.2010, Ministri i Arsimit urdhëron lejimin e ushtrimit të veprimtarisë Akademike për SHLNT-të. SHLNT zotëron akreditim institucional dhe akreditim të tre programeve të studimit (Drejtësi, Ekonomi-Finance, dhe Ekonomi Menaxhim)., bazuar në urdhërin 57, datë, 06.02.2013, të Ministrit të Arsimit. Në Korrik të vitit 2013 është akredituar dhe programi Bachelor në Psikologji, me Urdhërin Nr. 324, datë 15.08.2013. Aktualisht ofrohen 20 programe studimi, 8 programe të ciklit të parë 4 të akredituara dhe 4 të paakredituara, si dhe 12 programe të ciklit të dytë të paakredituara.
Theksojmë faktin se të gjitha programet e SHLNT janë të licensuara, porse Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL), në mënyrë të paligjshme ka bllokuar procesin që prej 300 ditëve. APAAL me kontaktet që ka patur me SHLNT, SHLNT ka treguar gjithmonë disponibilitet. Megjithatë, APAAL ka mbajtur të fshehtë qëllimin final. Në çdo rast, nuk mund të thuhet që SHLNT ka programe të paakredituara apo të palicensuara pasi disponojmë të gjithë procedurën për akreditim deri tek Raporti i vlerësimit të jashtëm. Me interpretim të ligjit akreditimi duhet të quhet i marrë bazuar në heshtjen e APAAL pasi kanë përfuduar të gjitha kontrollet teknike për të gjitha programet e tjera. Ky proces nuk është kontroll vetëm për një ditë, por për katër vjet kontrolle të vazhdueshmë.   
Sa i takon pretendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, theksojmë pretendim të Sekretarit të Përgjithshëm, sepse nga Grupi i Kontrollit nuk është evidentuar një shkelje e tillë dhe kjo nuk është pasqyruar në Raportin e Kontrollit të ekipit monitorues, sqarojmë se SHLNT nuk ka ofruar një program studimi të palicensuar. Në momentin që programi i Masterit Shkencor në Menaxhim nuk është licensuar nga Ministria e Arsimit, programi është pezulluar me vendim të organeve kompetente të SHLNT dhe 22 studentët e regjistruar në këtë program janë çregjistruar menjëherë dhe më pas janë regjistruar në degën e financës pranë të njëjtit IAL, për këtë arsye nga MAS nuk ka qenë e mundur të gjejë të dhëna për diplomimin e këtyre studentëve në degën menaxhim.
Sa i takon pretendimit për programet e paakredituara, nga MAS na është bërë e ditur se të gjitha programet e paakredituara janë brenda afatit ligjor të parashikuar nga neni 62, pika 3, e ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” , i ndryshuar.   
2.      Lidhur me pretendimin se institucioni privat SHLNT ka përdorur në mënyrë abuzive emërtimin “Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës”, ndërkohë që statusi i IAL-së është: “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës, bëjmë me dije opinionin publik se shoqëria tregtare që ka marrë liçencën për hapjen e SHLNT është e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me emërtimin “Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës Henri” shpk. Theksojmë se në të gjitha broshurat apo produktet e marketingut ne kemi përdorur shkrutimin e emërtimit tonë tregtar, ndërkohë që në të gjitha shkresat zyrtare dmth sektori akademik ku përfshin  diplomat, shkresat me institucionet (MASH, Apaal, Akp), kontratë me studentin etj., kemi përdorur emërtimin sipas liçensimit të bërë nga Këshilli i Ministrave, pra “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”. Mund të shikohet në cdo vend qoftë deri tek fotot e diplomimit ku studentët tanë kanë në sfond mbishkrimin Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës.
3.      Regjistri Themeltar, Regjistri i Notave, Regjistri i Diplomimit: lidhur me pretendimet se:

-    Për pikën ku thuhet se ka pasur korrigjime në regjistrin themeltar, sqarojmë se ato janë bërë të gjitha me procesverbal, dhe SHLNT disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta vërtetuar këtë.
-    Për pikën në lidhje me rregjistrin, theksojmë se rregjistri themeltar është i plotësuar me shumë saktësi. Cdo fillim viti akademik mbyllet në bazë të Udhëzimit të Ministrit dhe se do të ishte shkelje nëse do të vazhdonim të regjistronim dhe të bënim një proces verbal për mbylljen e regjitrimeve.

-    për pikën ku thuhet që mungon regjistri i të diplomuarve dhe data e tërheqjes; regjistri i të diplomuarve ekziston me çdo emër dhe mbiemër të studentit të diplomuar, degën, datën e tërheqjes, emrin e personit që e tërheq, firmën e personit (në rast se mungon personi parashikohet prokurë noteriale) dhe firmën e sekretares që e ka lëshuar.

-    për pikën ku thuhet që janë 58 studentë pa numra matrikulimi, sqarojmë se në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) janë dërguar të gjitha të dhënat e studentëve të regjistruar brenda afateve të përcaktuara nga MAS, dhe ka patur vonesa nga AKP për dërgimin e numrave të matrikulimit për studentët. Ka patur një sërë komunikimesh me shkresa nga muaji mars e në vazhdim për pajisjen e studentëve me numra matrikulimi. Një javë pas kontrollit të ejipit monitorues mbi ligjshmërinë, kanë ardhur numrat e matrikulimit për shumicën e studentëve, ndërkohë që ka ende studentë që nuk janë pajisur me numra matrikulimi, ndër ta janë të gjithë studentët e transferuar nga IAL të tjera në SHLNT në vitin 2013-2014. Edhe për këto i është komunikuar sërisht AKP, dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta.

-    për pikën ku thuhet që në regjistrin e notave kishte korigjime dhe nuk kishte asnjë procesverbal për këto korigjime, Grupit të Kontrollit i'u shpjegua që ato korigjime janë bërë nga punonjës të mëparshëm të SHLNT dhe ende të patrajnuar, ndërkohë që dhe anëtarët e Grupit të Kontrollit u shprehën që vërehet qartë ndryshimi në vitet e fundit, ku është punuar shumë pastër dhe pa korigjime.

4.      Lidhur me pretendimin se nga SHLNT janë aplikuar tarifa të fshehta, sqarojmë se të gjitha tarifat e zbatuara kanë qenë të parashikuara në kontratat individuale IAL – Student, në nenin 7 (të drejtat dhe detyrimet e studentit), pika 2, gërma g), i), k), l) dhe m). Pra, tarifat i bëhen të ditura studentit dhe/ose familjarëve që në momentin e parë të kontaktit me institucionin, pikërisht atë të nënshkrimit të kontratës. Tarifë e fshehtë quhet atëhere kur brënda vitit akademik, dmth brënda kontratës për të cilën është bërë pagesa, institucioni kërkon arkëtime të pa bazuara. Në rast se studenti kthehet pas 3 vjetësh (8 vjet është e drejta për të qënë student) dhe kërkon të japë provimin për të cilin kishte paguar frekuentimin por që nuk e kishte mbrojtuar, atëhëre me miratim të të gjithëve është rënë dakord që të këtë një kosto. Dhe kjo është pasqyruar në vendimet e administratorit shumë qartë si edhe në kontratën me studentin. Do të ishtë përfitim në rast se shuma për të paguar do të ishtë më e lartë sesa vetë viti akademik. Në këtë rast kemi të bëjmë me 50 euro herë gjashtë provime maksimalja (në rastin kur nuk mbron asnjë provim) kundrejt 2500 eurove. 
5.      Sa i takon gjetjeve të raportit në lidhje me kushtet infrastrukturore sipas akteve ligjore përkatëse, nga vetë Grupi i Kontrollit është bërë e ditur që kushtet e ambienteve të mësimdhënies dhe e gjithë infrastruktura ndihmëse që nevojiten, janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Dhe këtu citojmë:
“Objekti është i ndërtuar me materiale cilësore që plotësojnë kushtet higjeno sanitaredhe nuk shfaqin rrezikshmëri për studentët dhe stafin akademik. IAL ndodhet larg zonave industriale apo me ndotje. Ial disponon ambientet e detyrueshme të përcaktuara në shtojcën nr. 3, të Udhëzimit Nr. 11, datë 28.02.2011, si auditorë mësimi (audiovizivë), ambiente për laboratorë, ambiente për personelin akademik, administrativ, bibliotekë, ambiente teknike etj. Lartësia e katit është 3.4 m, 0.4 m mbi normën, si dhe zotëron 8.09m2 për studentë nga 3.5 - 8m2që është norma. Sa i takon pretendimit se godina është në proces legalizimi, kjo nuk përbën asnjë shkelje të normave ligjore e nënligjore në fuqi, përsa kohë që është një proces i njohur nga legjislacioni shqiptar dhe nuk është në kundërshtim me të. Pretendimi mbi mungesën e zjarrfikses: ShNLT ka në dispozicion 4000 litra ujë të cilat mund të pompohen nga tetë sprucator të fuqishëm, si dhe një sërë bombulash për zjarrë më të vogla më lëndë kimikë. Prentendimi mbi shkallën e emergjencës: Ftojmë këdo ta verifikojë. Ajo ekziston dhe se ka ekzistuar që përpara së të themelohej universiteti. 
6.      Përsa i takon pretendimit që në dosjen e rektorit mungonte ekuivalentimi i diplomës PhD (doktoraturës) theksojmë se ai është një titull i regullt i lëshuar nga një universitet në Gjermani, ndërkohë që është Ministria e Arsimit dhe Sportit ajo që vetë ka detyrën e njohjes dhe ekuivalentimit të saj. Përsa i takon pretendimit që Rektori kishte vetëm kontratë si Rektor me Administratorin, ndërkohë që kryente edhe funksionet e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Humane, theksojmë se Rektori është titullari që vendos për emërimet e dekanëve dhe në këtë rast është zbatuar parimi i subsidiaritetit.
7.      Përsa i takon pretendimit se në dosjen e prorektorit nuk figuron asnjë diplomë, bëjmë me dije se ai është Profesori i nderuar Lysien Bashkurti, ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë, etj., dhe se të gjitha Diplomat e tij ndodhen në SHLNT në një dosje të mbishkruar “Rektori”, duke qenë se para pak muajsh ai ka qenë Rektor i SHLNT, dhe më pas ka kaluar në pozicionin e Pro Rektorit. 
8.      Përsa i takon mungesës totale të Zyrës së kërkimit shkencor, bëjmë me dije që ekziston, ka ekzistuar që në fillim dhe se ka patur gjithmonë përmirësime në cilësi. Sot ajo përbëhet nga Akademik Apollon Bace, Prof. Lisen Bashkurti, PhD Edmond Cata, Dr. Vladimir Mulaj dhe dott. Ervin Sulko, staf i cili ka të hartuar një plan pune disa vjecare dhe botime nën emrin e SHNLT si dhe drejton gazetën shkecore “Challenges”

Për të gjitha sa më sipër, “Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës Henri” shpk, liçencuar si “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, është duke përgatitur kërkesë – padinë me të gjitha prapësimet dhe për secilin pretendim të MAS, për ta paraqitur në ditët në vijim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, në Tiranë.


SHLNT shprehet se do të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe se do të ndjekë të gjitha hapat e nevojshme ligjore dhe demokratike për venien në vend të drejtësisë.
Padrejtësi në heqjen e liçencave të universiteteve? Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës publikon fakte dhe pretendimet Padrejtësi në heqjen e liçencave të universiteteve? Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës publikon fakte dhe pretendimet Reviewed by Marion Mardodaj on 8/23/2014 12:09:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.