Loading...

Shkaqet e papunësisë në Tiranë

a.jpg
Nga Marion Mardodaj


 Shkaqet e papunësisë në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë janë komplekse e të ndërvarura, por evidentimi i disa pikave kryesore, mendoj se do të na ndihmonte të krijojmë një panoramë të caktuar përsa i përket papunësisë.

1. Çfar do të thotë punë? Pse njerëzit shkojnë në punë? ,‘’Zgjidh punën që dëshiron, dhe nuk do të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde’’ thoshte  Konfuci . Niveli i perceptimit përsa i përket kuptimit të punës është modest. Dikur, punë do të thoshte të mbaje frymën gjallë, t’u vishje me rrobat e pakta që ekzistonin në tregun e atëhershëm, kush ishte me fat të mobilonte shtëpinë, por edhe frika se, po mos të punoje do ishe i dyshuar për veprimtari antipopullore. Ndërsa sot dimensioni i kuptimit ka marrë përmasa krej të ndryshme. Sot punë do të thotë, të përmbushësh nevojat sociale, të jesh i pavarur, të rrespektohesh nga të tjerët, të kesh siguri, të paguash taksat etj. Remineshenca e së kaluarës dhe vështirësitë në përshtatje me  kushtet e tregut mendoj se kanë ndikim të konsiderueshëm në këtë aspekt.


2.Niveli i ulët i njohjes së parasë, dhe abuzimi në kreditim. Në një sondazh të bërë para disa muajsh rezultonte se shqipëtarët, rreth 40% të të ardhurave i konsumonin për vese (kafe, duhan, alkool etj. Rastet kur njerëzit mund të shesin shtëpinë e tyre për të blerë një makinë janë të shumta. Ndërsa kreditimi abuzues e thellon më shumë këtë problem. Kjo qasje bën që paraja të orjentohet në kanale shterpë. Si rezultat njerëzit nuk kanë kohën dhe paratë e nevojshme për të menduar se si mund të arsimohen drejt, të rriten profesionalisht apo të ngrenë biznese fitimprurëse. Në fakt ky është një fenoment global, mjafton të përmendim reformën financiare të ndërmarë nga presidenti  i SHBA Obama, e cila rriti kontrollin financiar mbi bankat, duke mos lejuar  kështu që konsumatoret të binin pre e abuzivizmave të kreditimit. Duke pasur parasyshë se tek ne hapësirat për abuzim nga ana e bankave janë të mëdha, dhe kultura monetare është e ulët, mendoj se sensibilizimi i qytetarëve në këtë aspekt duhet të jetë permanent.

3.Korrupsioni, niveli  i ulët në universitetete (mjafton të përmendim se nga një sondazh i bërë para disa javësh rezultonte se 75% e studentëve pohonin se kanë paguar të paktën një herë për të kaluar ose për ngritje note) dhe kryesisht mungesa e bransheve specifike të cilat u përshtaten kushteve reale ekonomike të vendit. Për shembull, kemi një dyndje të studentëve në degët  financë, menaxhim biznes dhe marketing. Dyndja në këto degë  praktikisht mund të jetë  e dobishme në kushtet e një ekonomie tejet të shëndoshë. Në një treg prej pothuajse 1 milion banorësh si Tirana ky orientim është i pa dobishme dhe madje i dëmshëm. Mungojnë degët që kërkojnë bashkëpunim midis universiteteve, si gjeografia e biznesit nga e cila derivon edhe analiza e lokacionit të biznesit çka mendoj se është një komponet tejet i domosdoshëm në ngritjen e një biznesi, konsulenca e biznesit është tepër e vobektë  etj. Gjithsesi, premtimi elektoral i zotit Basha për hapjen e zyrave të cilat orientojnë studentët në tregun e punës para se të mbarojnë studimet, mendoj se do ndikonte ndjeshëm në uljen e papunësisë. Pasi një student duke qenë i mirë orientuar, e ka më të lehtë të zgjedhë në kushte dhe rrethana të caktuara.

 4. Mungesa e theksuar e njohurive bazike të të bërit biznes dhe taksat e larta të bashkisë. Siç u theksua më lart,  konsulenca e biznesit pothuajse nuk ekziston, nuk ekziston ndonjë zyrë informazioni se ku, sa dhe si një produkt, kulturë apo mineral mund të mbillet, shitet, blihet apo nxirret (potencialet floristike e minerare të Shqipërisë janë marramendëse. Analizat e lokacionit të biznesit dhe sjelljes së konsumatorit  janë jashtë orbitës së komunikimit me biznesin aktual. Kompanitë e mëdha që operojnë aktualisht mbijetojnë vetëm në sajë të shfrytëzimit të konsumatorit shqipëtar (duke shfrytëzuar edhe  padijen e tij) në mënyrë neomerkantiliste. Në këto rrethana, gama e përzgjedhjes në hapjen e një  biznesi ngushtohet ndjeshëm, dhe ato para të destinuara për t’u investuar, investohen shpesh pa llogjikën elementare të kapitalizmit . Por edhe ato para që investohen në krijimin e bizneseve të reja janë nën një goditje konstante nga taksat e larta të bashkisë. Ndërsa ndërtimet dhe kullat e shumta në Tiranë  bashkë me zyrat e biznesit brënda tyre, nuk i pështaten  numrit të popullsisë dhe fuqisë blerëse si në Shqipëri edhe në Tiranë. Këto faktorë bëjnë që biznesmetët të falimentojnë, t’i shmanget taksave dhe sigurimeve e si rrjedhojë të gjitha këto nxisin papunësi .

5. Mungesa profesionale e punonjësve që kanë targetin për të pajtuar njerëz në punë(rekrutuesve), dhe njohuritë e cekëta të punëkërkuesve për atë se çfarë punëdhënësit kërkojnë. Kjo pikë vlen kryesisht për kompanitë e mëdha, dhe përgjegjësinë kryesore mendoj se e kanë universitetet. Një student që përfundon fakultetin e shkencave sociale, teorikisht e di se çfarë kërkon një punëdhënës nga një punëkërkues, si punësim afatgjatë, aftësi për të punuar mirë me të tjerët, aftësi për t’u rritur etj., pra atij i atribuohet cilësia e punëdhënësit. Por problemi qëndron në faktin se kompani të ndryshme kanë aspirata, synimeve dhe objektiva të ndryshme, në këtë sens edhe performanca e tyre duhet të jetë në sinkroni me këto synime, profilizime këto që njihen gjerësisht në perëndim. Pra rekrutuesit thjeshtë i mëshojnë disa pikave holistike por në kontekste të ndryshme. Mënyra e evidentimit  të aftësive të një punëkërkuesi nga ana e  tyre më së shumti është standarde, ata bazohen kryesisht  në  tekste të përkthyera. Pra, edhe gjuha në të shumtën e rasteve është e pa kuptueshme për një punëkërkues. Ndërsa qasja e ndryshme kulturore e shqipëtarëve nga kultura e punës, e induktuar në një rekrutues vetëm në mënyrë teorike, mendoj se përbën një pengesë thelbësore përsa i përket kuptimit midis tyre. Si rezultat pajtimi i punonjësve nga ana e tyre bazohet indirekt mbi baza krahinore (në një vëzhgim personal, më ka rezultuar se në x sektor të 4 kompanive të ndryshme, mbi 60% e punonjësve i përkisnin të njëjtës krahinë respektive), njohjesh, por edhe korrupsioni. Kjo do të thotë të punësosh të pa aftë,të pajtosh e të shkarkosh vazhdimisht, pra krijohet një amulli e pa kuptimtë .

6. Pozita gjeografike, kushtet urbano-ambjentale dhe ngjeshja e popullsisë. Klima, siç dihet ndikon në shëndetin e njeriut, Tirana në kushte natyrale karakterizohet nga një klimë mesdhetare kodrinore jashtëzakonisht e përshtatshme për të jetuar mirë. Njeriu, rendimentin e tij optimal e jep në temperaturat 17-18 gradë. Vlerat mesatare të këtyre temperaturave në kushtet natyrale në Tiranë fatkeqësisht hasen në stinët tranzitore kur edhe proçeset e brendëshme kimike të njeriut ndryshojnë, ndërsa në stinët e tjera nuk mund të bëhet fjalë për rendiment optimal. Pra rendimenti njerëzor lidhet direkt me rendimentin në punë (kryesisht për ato që punojnë në hapësirë), dhe në një kohë kur kërkesat rriten, rendimenti mbetet i njëjtë. Nuk është krejt rastësi që vendet veriore janë më të zhvilluara se ato jugore, pasi të paktën në dy muaj të vitit ato japin rendiment optimal, dhe energjinë termike ato e përdorin vetëm në një drejtim (për ngrohje), kështu  edhe proçeset kimike të brendëshme të njeriut thjeshtëzohen duke u adaptuar më shpejt  me mjedisin. Ndotja atmosferike dhe akustike siç dihet ndikojnë në shëndetin e njeriut, ndotja akustike shkakton stres, e stresi i tepërt të çon në një ndjenë të pashpresë, ul rendimentin në punë etj. Ngjeshja e popullsisë gjithashtu ndikon në mënyrë origjinale në papunësi. Në një mjedis urban, në rast se psikoza e të qënit i pa shpresë dominon, ngjeshja e popullsisë do të rrisë nivelin e kësaj psikoze. Në rast se mbizoteron optimizmi, ngjeshja do te prodhoje efekte te dobishme. Freedman argumenton se, kjo është arsyeja kryesore që duhet të sigurojmë ekzistencën e mjediseve shoqërore pozitive në zonat me dëndësi të lartë. Në Tiranë këto elementë negative janë  në nivele alarmante, si ndotja akustike, psikoza e të qënit i pa shpresë në një mjedis me dëndësi të lartë etj. Ndërthurja e këtyre komponentëve urbano-ambjental ndikon në mënyrë krejt origjinale në papunësi. Këto mendoj se janë disa nga faktorët kryesore që ndikojnë në nivelin  papunësisë në metropolin shqiptar, ku secili kërkon vëmendje specifike.

Shënim: ky shkrim është botuar si fillim në datë 5 prill 2011 në gazetën Metropol.
Shkaqet e papunësisë në Tiranë Shkaqet e papunësisë në Tiranë Reviewed by Marion Mardodaj on 7/26/2014 09:40:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.