SHBA mbyllin përkohësisht ambasadën në Libi

Shtetet e Bashkuara mbyllën përkohësisht ambasadën e tyre në Libi dhe evakuuan personelin për në Tunizinë fqinje për shkak të luftimeve të ashpra në zonat pranë ambasadës amerikane në Tripoli. Departamenti i Shtetit tha se ka pezulluar operacionet e ambasadës për shkak të "dhunës së tanishme mes milicive libiane." Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, njofton nga Parisi, ku Sekretari i Shtetit John Kerry është takuar me ministrat e jashtëm lidhur me dhunën në Gazë:

Përmes një deklarate, Departamenti i Shtetit rekomandonte që shtetasit amerikanë në Libi të largohen menjëherë nga vendi.

Duke folur nga Parisi, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se në kryeqytetin libian ka "dhunë të milicive të pakontrolluara":

" Përreth ambasadës sonë në Tripoli ka mjaft dhunë, por që nuk ka si synim ambasadën. Megjithatë, ajo paraqet një rrezik mjaft real për personelin amerikan." - tha Sekretari Kerry.

Zoti Kerry tha se personeli diplomatik amerikan u evakuua në Tunizi, me makina, prej nga ata do të çohen në vende të tjera, për të vazhduar përpjekjet për lehtësimin e dhunës në Libi:

"Ne jemi dhe mbetemi thellësisht të përkushtuar ndaj procesit diplomatik në Libi. I dërguari ynë do të vazhdojë të angazhohet me të dërguarin britanik dhe të dërguar të tjerë. Ne do t'i vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar, përmes zgjedhjeve legjitimitetin e krijimit të qeverisë dhe përpjekjet për t'i dhënë fund dhunës. I bëjmë thirrje të gjithë libianëve, që të angazhohen në procesin politik dhe të bashkëpunojnë, me qëllim që të shmangin dhunën." - tha zoti Kerry.

Siguria e personelit amerikan në Libi është një çështje e ndjeshme politike për administratën Obama, që nga sulmi i vitit 2012 ndaj misionit amerikan Benghazi, ku u vranë katër amerikanë, mes tyre Ambasadori Chris Stevens.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve është duke hetuar dhunën e tanishme në Libi, ku po zhvillohen disa nga luftimet më të përgjakshme që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit libian Muamer Gadafi në vitin 2011.

Milicitë rivale janë duke luftuar për të marrë kontrollin e Tripolit, ndërsa në qeverinë qendrore të dobët ekzistojnë mosmarrëveshje mes grupeve islamike, fisnore dhe atyre nacionaliste.

Previous Post Next Post