Loading...

Robotët Transformers në Podgoricë

“Transformers”, personazhet e famshëm të fëmijëve, janë robotë që mund të kthehen në makina apo objekte të tjera. Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, këta robotë janë krijuar me makina të prishura. Krijuesi i tyre shpreson që ata të inkurajojnë fëmijët të riciklojnë më shumë mbeturina.
Disa personazhe kryesore të serisë së lodrave “Transformers”, të bëra më pas filma vizatimorë e artistikë, janë duke u shfaqur në disa vende të Podgoricë, dhe janë vepër e një artisti të ri, i cili pa mundësinë e një roli të ri për heronjtë e tij të fëmijërisë.

Robotët e mëdhenj, të bërë kryesisht me pjesë të makinave të vjetra dhe mbeturinave të tjera, janë vendosur jashtë kafeneve, restoranteve dhe në sheshin kryesor të qytetit.
Ideja, shpjegon studenti 22-vjeçar Danilo Baletic, i cili krijoi skulpturat, ishte të tërhiqte vëmendjen e njerëzve dhe të dërgonte një mesazh se mbeturinat mund të përdoren për gjëra të mira për planetin tonë.
"Dy vjet më parë, isha rastësisht në një pikë për mbledhjen e makinave të vjetra dhe pashë njerëz duke hedhur shumë “materiale të përdorshme,” si i quaj unë. Kështu më lindi ideja të bëja Transformer-in tim të parë, Rammtron,"thotë Danilo.
Deri tani, Danilo ka instaluar shtatë personazhe të Transformers në qendër të Podgoricës, por ai premton se do të krijojë një të ri për secilën nga vizitat e planifikuara në vendet e tjera të rajonit.
Turistët që vizitojnë Podgoricën mahniten me këto skulptura. Sidomos fëmijët, që bëjnë fotografi me këto personazhe të famshme.
Familja Markota është nga Zagrebi dhe ata kanë shpenzuar orë të tëra duke parë me kujdes 7 skulpturat.
Zrinko Markota i konsideron një vepër të vërtetë arti dhe kulture:
"Këto skulptura janë vepra arti. Mund të shihet qartë që janë krijuar me qëllim artin dhe është me të vërtetë diçka e bukur që janë bërë me materiale të riciklueshme, sepse do të thotë që materiali nuk u hodh, por u përdor sërish,"thotë zoti Markota.
Danilo Baletic arriti të përdorë çdo gjë që mundi të gjente mes makinave të vjetra, për të krijuar kopje sa më të mira të personazheve origjinalë të Transformers. Për të ndërtuar statujën e personazhit Muscle, ai përdori të gjithë motorin e një Volkswageni Golf të vjetër, që u përshtat si një armë në kraharorin e robotit.
"Misioni im dhe i robotëve të mi është ruajtja e Podgoricës. Gjithashtu kam dashur që fëmijët të jenë të lumtur të paktën për një ditë, duke parë Transformers. Më vonë do të shohim nëse do të jetë i suksesshëm dhe një tjetër mision i këtyre personazheve, ai i dhënies së një mesazhi që njerëzit të mos hedhin mbeturinat, duke transformuar kështu veten," thotë artisti.
U desh plot një natë për punonjësit, që së bashku me Danilon, të vendosnin skulpturën e fundit dhe më të madhen në sheshin kryesor të qytetit, gjigantin Megatron, 21 tonë dhe 14 metra i lartë.
Ekspozita e skulpturave Transformers në Podgoricë përfundon më 5 gusht, por plani është që ato të zhvendosen në qytete të tjera në të gjithë Ballkanin gjatë këtij viti./voa/
Robotët Transformers në Podgoricë Robotët Transformers në Podgoricë Reviewed by Marion Mardodaj on 7/27/2014 11:33:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.