Loading...

Duke udhëtuar për në Prespën e Madhe


prespa


Të udhëtosh për në Prespën e Madhe duhet të marrësh rrugën për në pikën kalimtare të kufirit me Greqinë,  Kapshticë. Rruga devijon në Zëmblak dhe prej aty ndryshon edhe destinacioni. Duke udhëtuar drejt rajonit të Liqenasit njëherazi je drejtuar për në Maqedoni. Prej këtej në Greqi mund të shkosh vetëm me varkë. Por, për të shkuar drejt Prespës së Madhe më parë të duhet ngjitur rruga përmes Qafës së Zvezdës. Rruga është e mirë dhe udhëtimi i këndshëm, pasi peisazhi në të dy anët e qafës është i gjelbëruar. Në përfundim të ngjitjes përballesh me tabelën që prezanton Parkun Natyror të Prespës. Udhëtari i rrallë apo turisti këtu gjithmonë ndalet. Pamja përpara nuk ka të krahasuar. Poshtë rrugës një radhë fshatrash që u dallohen çatitë me tjegulla, Pusteci dhe më tej Shuli apo Diellasi. Pastaj krejt horizonti ka ngjyrën e kaltër të liqenit të Prespës së Madhe. Ashtu si nëpër përralla dhe legjenda, gjithmonë të shfaqen përpara dy rrugë. Por, natyrisht këtu nuk ka vend për dilema si në legjenda, cilën rrugë të zgjedhësh. Në këtë rast tabelat e sinjalistikës rrugore të orientojnë, njëra rrugë të çon drejt bregut të liqenit, tjera të çon drejt pikës së kalimit kufitar për në Maqedoni.

Ndërsa ngjitemi malores drejt Qafës së Zvezdës, për shkakun se udhëtonim drejt një rajoni ku takohen kufijtë ndarës midis tri shteteve, na pushtoi ideja se po shkonim drejt diçkaje që kishte një fund. Por, fundi këtu në Prespë dallohet vetëm në harta. Në këtë realitet malesh dhe ujërash udhëtarin e kap vetëm ndjesia e një hapësire pa fund dhe pa anë. Kam mësuar se në pjesën maqedonase të bregut janë zbuluar disa varka që i përkasin periudhës prespa3prehistorike, ndërkohë që edhe në pjesën shqiptare të bregut të liqenit arkeologët kanë mundur të gjejnë gjurmë të jetës së hershme. Mandej në shpellat e ishullit të Maligradit turistët fotografojnë piktura të lashtësisë. Kësisoj, Prespa na rezulton më e habitshme se më parë, pasi vendbanimi i Prespës, sipas arkeologëve, është më i madhi në Europë që vjen në kohët tona qysh nga periudha e Prehistorisë. “Pas hapjes së kufijve dhe ndërtimit të rrugës automobilistike, zona e Prespës është bërë vend i mirë për të banuar dhe vend i bukur për t’u vizituar”, shprehen banorët vendas.
Në Prespën e Madhe, në të 9 fshatrat të banuar nga komuniteti maqedonas në Liqenas do të ndeshni shumë persona me emrin Aleksandër ose me mbiemrin Aleksi. Kjo si dëshirë për të sjell në kujtesë lavdinë e Aleksandrit të Madh dhe atësinë e tij, por mbase pa e ditur që Aleksandri ishte maqedonas po aq sa ishte dhe Ilir nga e ema Olimpia (Olimbia).
prespa2Në qendër të komunës, krahas flamurit kombëtar shqiptar, dallohet edhe flamuri me logon e komunës, në qendër të së cilit shquhet simboli i njohur maqedonas një diell i verdhë me 16 rrezet e tij. Problemet e administrimit të komunës edhe këtu janë të prekshme, janë ato problem që lidhen me bujqësinë, blegtorinë, shitjen e prodhimeve, bllokimi i rrugëve gjate stinës së dimrit etj, por ajo që bie në sy është se gjendemi në një vend të bukur turistik dhe ku ka shumë hapësira për t’u vizituar.
Për të shkuar në ishullin legjendë të Maligradit, një kreshtë shkëmbore që sfidon me ashpërsinë e pamjes së tij qetësinë që mbizotëron në liqenin misterioz, nevojiten varkat. Çdo shtëpi ka varkën e vet, por turistët duan siguri dhe kërkojnë të vozitin me peshkatarë, sepse ata ia dinë mirë hiletë varkës dhe  liqenit. Peshkatarët këtu i gjen me shumicë duke peshkuar apo thurur rrjetat e peshkimit. Na thonë se këtu vijnë shumë turistë për të vizituar natyrën apo kishat dhe shpellat. Ata kështu bëhen dhe një burim i mirë tregtije për peshkun dhe produktet e fshatit.
Dallohet qartë që vendasit kanë disa vjet që u janë kthyer atyre gjërave tradicionale, peshkimit, ndërtimit, bujqësisë dhe blegtorisë. Bie fjala, i janë kthyer prodhimit të drufrutorëve të tyre, vreshtarisë, mollëve e kumbullave që i kishin lënë pas dore në kohën e tranzicionit.
Kur e shikon në distancë ishullin e Maligradit dhe tenton t’i afrohesh atij, ndjen se i afrohesh një enigme apo legjende. Banorët flasin për një “përbindësh”që është parë në ujrat e këtij liqeni, që shfaqej e zhdukej në netët me hënë, që e kishte parë filani e filani,që paska shkruar dhe BBC  e paska transmetuar një reportazh për këtë ngjarje..e plot gojëdhëna të tjera, por që kanë një të vërtetë, që Prespa vazhdon të jetoje mbi gërmadhat e një qytetërimi tepër të hershëm Pellazgo-Ilir. Peshkatarët  thonë se vetë nuk e kanë parë “përbindshin” misterioz, por dyshojnë se mund të këtë qenë ndonjë peshk i madh.prespa6
Po, misteret e Prespës nuk mbarojnë këtu. Një djalë rreth të tetëmbëdhjetave nga Shuli na thotë se shumë druvarë që shkojnë në mal për të prerë trupa kanë parë disa hije të çuditshme mbi liqen. “Liqeni është shumë i thellë. Vitet e fundit niveli ka rënë rreth 7 metra. Shikoni atë fushën atje, dikur ishte e mbuluar më ujë e kallamishte. Mbase nuk ka asnjë përbindësh, por ajo që na bën përshtypje është se  askush nuk mori mundimin të vërtetojë këto dyshime që erdhën nga të tri anët e banorëve të Prespës”. Legjenda misterioze e “përbindëshit të Prespës” mbetet ende legjendë, paçka, le të mbetet, ndonjëherë misteret dhe legjendat i tërheqin më tepër turistët dhe vizitorët. Prandaj dhe unë shkrova para ca kohësh për turizmin mitologjik. Ai duhet shfrytëzuar si një burim I mirëfillt turizmi e fitimi. Vendi ynë është I mbushur me legjenda e mite, ato duhen nxjerre në dritë dhe duhen reklamuar.
Më në fund mbërrijmë në ishullin e vogël në mes të liqenit të Prespës. Varka u afrua e para në një platforme të improvizuar. I pari zbriti prifti me emrin e Aleksandërit të madh të Maqedonisë. Ende pa zbritur mirë, Aleksandri nisi rrëfimin e tij, të cilin kushedi sa herë e ka përsëritur apo ai është “guida” e vetme dhe përhershme për turistët që zbresin në Maligrad. Fundi i rrasës së zezë iu shtri mbi ujrat e liqenit në momentin që këmbët e tia prekën tokën. Ai e tërhoqi, e ngriti lartë dhe e shkundi si për të larguar legjendat e këtij liqeni të mistershëm.
prespa_5 “Maligrad është fjalë në maqedonisht, që në shqip përkthehet “qytet i vogël”. Foli me të shpejtë. Në pjesën maqedonase të liqenit ka një ishull tjetër të ngjashëm me këtë, por 4-5 herë më të madh dhe për këtë arsye quhet “Golemgrad” që në shqip do të thotë “qytet i madh”. Edhe në ishullin tjetër ka dy kisha ortodokse të periudhës bizantine”, thotë prifti. Këtu ndodhet një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Mërisë, që  daton në Shekullin XIV. Këtu  janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si tjegulla, kolona e kapitele që sipas arkeologëve i përkasin një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipas vendasve, mendohet se pjesa e vizitueshme e kësaj kishe është rindërtuar nga Car Simeoni dhe se në pjesën e sipërme të ishullit shkëmbor gjenden edhe sot rrënojat e vilës verore të shekullit XI. Mandej, në ballinën e kishës prifti na tregoi afresket me piktura të portreteve të Carit që e rindërtoi kishën, bashkëshortes së tij, dhëndrit dhe vajzës së tij të cilët janë kurorëzuar në altarin e kishës së Shën Mërisë këtu në ishull. Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë të Muzakajve. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.prespa4
Atraksionet kulturore që tërheqin turistët këtu janë të pashtershme. Bie fjala, prifti ortodoks i Liqenasit, Aleksandri, ende pa mbërritur në ishull, na thotë se në shpellën e Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë, janë dy afreske të rralla, “Puthja e Judës” dhe “Shën Mëria”. Ndërsa në një libër të shkruar nga Gjon Muzakaj shkruhet se pikërisht në këtë ishull është varrosur gjyshja e tij. Histori e legjenda vërtet të çuditshme. Të intrigojnë këtu në brigjet ku kryqëzohen kufijtë shtetërorë të tre vendeve jo vetëm legjendat e përcjella gojë më gojë, por edhe realiteti i prekshëm, disa vende eremitësh, që studiuesit i vendosin mes shekullit XII dhe XIII, më tej poshtë fshatit Gollomboç, në një vend që vendasit e quajnë “shpella e zezë” ndodhet Kisha e vjetër e Evangjelizmit, ku ruhet afresku i ungjillëzimit, në rrethinat e Shulit gjendet Kisha e vjetër e Shën Kollit me afresket e gdhendura në faqen e shkëmbit mbi shpellë.Në saj të këtyre resurseve,Prespa po tërheq përditë e më shumë turist.
Mjafton të shikosh shtimin e përditshëm të varkave dhe tavernave në breg të liqenit, për të kuptuar se këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm eko-turistik që mund të përfshijë  veprimtari të tilla turistike, që vështirë se mund t’i gjesh gjetkë: çlodhje, qetësi, peshk dhe peshkim, gjueti, vozitje dhe gara të sporteve ujore, mbledhje të bimëve mjekësore, ushqime tradicionale, folklor dhe kultura të larmishme./a.ke/
Duke udhëtuar për në Prespën e Madhe Duke udhëtuar për në Prespën e Madhe Reviewed by Oculusnews Albania on 7/24/2014 03:16:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.