Ukrainasit zgjedhin presidentin


dsd.jpg
Tre muaj pas përmbysjes së liderit pro-rus të Ukrainës Viktor Yanukovych, të dielën në Ukrainë po zhvillohet votimi për ta zgjedhur presidentin e ri të Ukrainës.

Tetëmbëdhjetë kandidatë ia kanë mësyrë garës për president të Ukrainës, teksa votimi po mbahet në kohën kur separatistët pro-rusë e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të dy rajoneve në lindje të Ukrainës.
Në orët e hershme të ditës së sotme kur edhe janë hapur votimet në Kiev e në perëndim të Ukrainës, është raportuar për një pjesëmarrje të madhe të ukrainasve në zgjedhje, ngase janë parë radhë të gjata në qendra të votimit.
Por, në lindje të Ukrainës është parë një situatë krejtësisht tjetër.
Administrata rajonale në Donetsk ka njoftuar se nga 2 mijë e 430 vendvotimet në këtë rajon lindor janë hapur vetëm 426 sosh.
“E shoh që qendrat e votimit nuk janë të hapura. Kjo nuk është diçka që kam dashur. Dua ta di vetëm nëse këto qendra do të hapen dhe unë do ta shfrytëzoj të drejtën për të votuar”, tha Vasili, i cili të dielën qendrën e votimit ku ka votuar zakonisht në lindje të Ukrainës, e kishte të mbyllur.
Në rajonin tjetër Lohansk, udhëheqësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mikhail Okhendovsky, ka njoftuar se janë hapur vetëm dy nga gjithsej 12 vendvotimet.
“Unë jetoj në këtë shtet dhe nuk mund të votoj për presidentin. Kjo nuk është e drejtë. Secili duhet të ketë të drejtë që të shprehë vullnetin e vet. Nëse unë dua të votoj, votoj. Nëse unë nuk dua, nuk votoj. Por, kjo që po ndodh, është në kundërshtim me të gjitha ligjet”, u shpreh Tatjana, një qytetare ukrainase që jeton në lindje të këtij shteti.

Teksa ukrainasit nuk i kanë hapur të gjitha vendvotimet në rajonet ku kontrollin më të madh e kanë separatistët pro-rusë, presidenti rus Vladimir Putin ka theksuar se do të punojë me administratën e re ukrainase./trl/
Previous Post Next Post