Loading...

Sulmi i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës, blof apo diversion?!

"Gazeta Shqiptare" botoi sot këndvështrimin e dy kolonelëve shqiptar - Zaim Kuçi dhe Zeno Jahaj - dhe një studiuese - Alina Starova - me titull “Precedenti “Krimea”, Qendra e Sigurisë Kombëtare: Serbia mund të sulmojë Kosovën”, që vijnë në formën e një shkrim-studimi të bërë nga këta autorë. Ky shkrim-studim është bërë për llogari të Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe në thelb paralajmëron instancat e larta shtetërore për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Ballkan dhe një agresion të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Nuk e kam idenë se si ka arritur ta sigurojë “Gazeta Shqiptare” këtë studim të Qendrës së Sigurisë Kombëtare, pasi normalisht këto dokumente strategjike kanë një afat kohorë që të deklasifikohen. Është njësoj sikur një gazetë amerikane të botojë pikëpamjet e ambasadorit rus mbi Amerikën, vetëm pak javë pasi t’i ketë shkruar, ose anasjelltas. Gjithsesi, le t’i hedhim një sy kritik thelbit të këndvështrimeve duke i bërë një analizë të shkurtër dhe njëkohësisht duke pasqyruar disa këndvështrime të tjera.

Ndër të tjera, ky shkrim paralajmëron Tiranën zyrtare se mund të ekzistojë një skenarë që Serbia të Sulmojë Kosovën. Kjo mund të vijë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia. Si fillim kemi të bëjmë me një gabim të çuditshëm që kanë bërë studiuesit apo gazeta: termi “precendent”, nuk ka lidhje logjike me përshkallëzimin e situatës dhe nuk përbën precedent për Serbinë që të sulmojë Kosovën. Pra, Rusia e aneksoi Krimenë me pretekstin se përbëhet nga 60% popullsi ruse, duke e justifikuar këtë veprim me rezultatet e referendumit të kurdisur. Ndërsa Kosova përbëhet nga mbi 95% popullsi shqiptarë. Rusia e bazon aneksimin e saj mbi parimin e së drejtës ndërkombëtare të “vetëvendosjes”, por nga ana tjetër shkel ligjet ndërkombëtare pasi ky parim merr fuqi në ato raste kur një popull është masakruar apo i është bërë gjenocid, si në rastin e Kosovës. Pra, krahasimi i precedentit nuk ka lidhje.




Në artikull shkruhet se shërbimet inteligjente shqiptare nuk kanë dije lidhur me një përgatitje të mundshme të Beogradit për nisjen e një agresioni ushtarak ndaj Kosovës. Edhe këtu kemi një çorganizim, mbase të organizuar, pasi bën të lindë pyetja: kur nuk janë në dijeni shërbimet inteligjente shqiptare për përgatitjen e agresionit të mundshëm, atëhëherë pse duhet të “hidhen” në publik hamendësime që s’kanë konslultuar informacionin e saktë? Kjo minimumi do të thotë, divergjencë.

Ndër të tjera, në artikull shkruhet se “...qëllimet strategjike ruse, për të gjetur territor në hapësirën e BE-së, realizohen duke lëvizur kujdesshëm, rast pas rasti me shtetet e vegjël...sidomos në shtetet e Ballkanit... që akoma nuk kanë arritur të instalojnë demokracinë dhe të zhvillojnë ekonominë në standard perëndimor”. Kjo do të thotë që influenca ruse ka vepruar prej kohësh në terrenin e politikës shqiptare, dhe është aktive, po të kemi parasyshë nivelin e demokracisë në Shqipëri. Dhe në fakt është e vërtetë. Influenca ruse në Shqipëri është rritur tek ato porcione ortodokse (Rusia dhe Serbia janë ortodokse për nga feja, dhe si të thuash, qendër e fuqisë dhe fesë për këto popullsi) të popullsisë që nuk janë autoktone shqiptare, dhe që janë bërë të fuqishëm ekonomikisht gjatë viteve kur ishte PD në pushtet. Më duhet të theksoj se s’kam gjë me fenë ortodokse dhe ortodoksët, (nga prindërit jam 50% katolik dhe 50% musliman-bektashi, megjithëse personalisht besoj tek një Zot dhe mundohem të marr gjërat më të mira nga çdo fe, kurse tani po merrem me budizmin) madje një pjesë e mirë e njerëzve të mi kanë lidhur krushqi me ortodoks shqiptarë e jo shqiptarë. Pra, ne kemi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Sigurisht që edhe kjo pjesë e popullsisë ka ndasi midis tyre, ku ndasitë më të zakonshme janë midis komunizmit total dhe liberalizmit ekstrem - pak a shumë si rendi botërorë që u implementua pas Luftës së Dytë botërore, me komunistë e ballistë - dhe janë aktiv në të gjitha sferat e jetës, përfshirë partitë politike, institucionet kryesore etj. Përgjithësisht këto porcione të popullsisë në terma gjeopolitik njihen si “forca centrifugale”, të cilat tentojnë ta dobësojnë deri në shpërbërje një komb. Ndërsa “forcat centripetale”, janë ato forca që tentojnë ta mbajnë të bashkuar dhe të konsoliduar kombin, këtu hyjnë kryesisht autoktonët dhe progresistët. Të drejtat e këtyre popullsive garantohen nga ligjet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që në fakt Shqipëria i ka zbatuar me përpikmërinë më të madhe, madje edhe më shumë.

Në maj të vitit 2012, Shqipëria dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve të Federatës Ruse për luftën kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, Viktor Ivanov. Kjo marrëveshje pa lidhje dhe shumë dyshuese, gjeneron një sërë pyetjesh therëse: Çfarë të mire do i sillte Shqipërisë kjo marrëveshje kur ne jemi kryeqyteti i Evropës për hashashin (Lazarati. Ç’përfitim do i sillte Shqipërisë kjo marrëveshje kur rinia shqiptare po degjenerohet për ditë e më shumë nga drogërat, kazinotë e “ruletat ruse”? E pra, pikërisht ngaqë nuk sjell asnjë të mirë, por veçse të këqija, prandaj edhe NATO e përjashtoi Shqipërinë nga aksesi i informacioneve tepër sekrete. Që minimuni, do të thotë se qeveria e mëparshme i ka dhënë informacione të Aleancës rusëve dhe serbëve. Sa për informacionet e Sigurisë Kombëtare apo të Kosovës, ia lë publikut ta imagjinojë vetë. Kjo marrëveshje shpjegon se përse presidenti Nishani është kaq i interesuar për zhvillimet në Krime, siç raporton “Gazeta Shqiptare”. Pra këto janë faktorët që kanë ndikuar në dobësimin e PD-së, e cila, sipas mendimit tim mund të dobësohet edhe më tej. Këto detaje kanë kaluar pa u vënë re nga gazetarët e analistët, shumica e të cilëve kanë menduar si në rastin kur Zogu apo Enveri bashkëpunuan me serbët, e më pas punuan për kombin. Por realiteti dhe konteksti gjeopolitik dhe gjeoekonomik është krejt i ndryshëm, prandaj kanë gabuar të gjithë, bashkë me politikanët.
Pra është e qartë që një dorë e padukshme kërkon të destabilizojë Shqipërinë, e cila ruan ekujlibrat në Ballkanin e brishtë. Vendosja e tritoleve, minimizimi i figurave kombëtare si Nënë Tereza dhe Skënderbeu, dërgimi i shqiptarëve në Siri, madje edhe propozimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë ishte një propozim i kulluar i Moskës zyrtare, sipas mendimit tim. Pra, mbrapa këtyre ngjarjeve fshihet dora e fshehtë e Moskës dhe Beogradit, dhe kohët e fundit ka qenë më aktive se kurrë.
  
Rusia është e dobët dhe megalomane
Prej vitit 1750, i gjithë sistemi global i fuqisë ishte ndërtuar mbi parashikimin e rritjes së popullsisë, që do të thotë më shumë punëtorë, më shumë konsumatorë dhe më shumë ushtarë. Ndërsa sot kjo gjë nuk vlen më. Ndryshimet që mund të ndodhin në shekullin XXI do varen gjithnjë e më shumë nga zhvillimi i teknologjisë dhe paraja. Në këtë kuptim, Rusia, veçse ka probleme të mëdha social-ekonomike dhe ka një popullsi të plakur dhe shumë herë më të pakët në numër se fuqitë kryesore, është shumë mbrapa në aspektin e teknologjisë. Dikush mund të thotë se Rusia është e fuqishme ushtarakisht sepse ka shumë ushtarë efektiv, pra njerëz “mish për top”, të cilëve mund t’u japësh një fetë bukë me gjalp në njërën dorë, dhe një kallash në dorën tjetër, dhe janë të gatshëm të shkojnë në luftë. Kjo nuk pi ujë në kohën e sotme, pasi këta njerëz jo vetëm që nuk janë cilësorë dhe s’kanë lidhje me disiplinën, por janë lehtësisht të sfidueshëm nga teknologjia. Një shembull analog mund të jetë Izraeli - rreth 20 mijë klm katrorë - me një zhvillim të shumëanshëm, i cili i reziston me sukses presionit të vendeve islamike. Pra, kualiteti teknologjik izraelit i reziston lehtë njerëzve “mish për top” që janë me qindra herë më të shumtë në numër se izraelitët. Nga ana tjetër, fuqia ekonomike e BE-së kap shifrën e 14 trilion dollarëve, një trilion më shumë se SHBA. Popullsia e Rusisë është rreth 143 milion banorë ku një pjesë e mirë nuk janë rusë dhe është ndër popullsitë më të moshuara të botës, ndërsa popullsia e Evropës është mbi 350 milion banorë. Teknologjia e Evropës është jashtëzakonisht më e përparuar se e Rusisë etj. Pra, si mendoni, a mund ta sfidoi Rusia Evropën? Sigurisht që hamendësimi i autorëve, të cilët ngrenë pyetjen: “A mos vallë ky globalizëm i përshpejtuar dhe i pakontrolluar po sjell nevojën e një situate paralufte?”, nuk qëndron dhe është pa lidhje. Rusia është thjeshtë një fuqi Rajonale (siç theksoi para pak javësh edhe sekretari i Shtetit, Kerry) që po mundohet të ripërtërijë sa të mundet nga shpërbërja Bashkimit Sovjetik.

Me aneksimi e Krimesë, Rusia s’ka bërë gjë tjetër veçse ka zgjuar “Zonjën e Vjetër”.
Serbia nuk ka këllqe ta sulmojë Kosovën
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u fituan nga lideri i Partisë Progresiste Aleksandër Vucic. Pas fitores, më datë 1 maj, Vucic deklaroi se “...Unë jam i sigurtë se Serbia do vazhdojë rrugën e saj evropiane, luftën e saj kundër korrupsionit...”. Pra, Qeveria e re Serbisë duhet të përballet me sfida të shumta, siç janë papunësia, korrupsioni, ekonomia dhe marrëdhëniet me Kosovën. Popullsia e serbisë është e rraskapitur dhe e dërrmuar psikologjikisht nga bëmat e liderëve të saj. Serbia nuk i ka mundësitë ta sulmojë Kosovën, pasi ka probleme madhore ekonomike dhe sociale. Dhe nga ana tjetër, ajo është e vetme në Ballkan. Duhet ta ngulim në mendje që Jugosllavia u shpërbë qysh në vitet '90, nuk ka më Jugosllavi! Popullsia e serbisë së sotme është rreth 7.1 milion, 5,8 milion prej të cilëve janë serb, mbi 25,000 janë hungarez të Vojvodinës, rreth 150,000 rom - si kontingjenti më i manipulueshëm për t’u hedhur në luftë - etj. Serbia është një ndër 10 vendet botërore që ka popullsinë më të moshuar dhe territori i serbisë pa Vojvodinën - e cila i është aneksuar Hungarisë me marrëveshjen e Fuqive të Mëdha - është rreth 67 mijë kilometra katrorë.  


Ata që mendojnë se Serbia mund të sulmojë Kosovën, me siguri kanë menduar edhe për një rend të ri botërorë që do zhvillohet më pas, siç ndodhi në vitin 1914 në Bosnje, kur Gavrillo Princip vrau arkidukën e Bosnjes, Franc Ferdinant, çka u pasua me shpërbërjen e Austro-Hungarisë dhe të sistemit botërorë perandorak. Gjë që mendoj se nuk mund të ndodhë edhe për minimalisht dy dekada.
Sulmi i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës, blof apo diversion?! Sulmi i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës, blof apo diversion?! Reviewed by Oculusnews Albania on 5/24/2014 11:00:00 AM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.